Inspektorati Policor i Kosovës, në korrik të këtij viti ka ngritur kallëzim penal ndaj 141 zyrtarëve policorë, nën dyshimet për mashtrim. 94 prej tyre po vazhdojnë të marrin pensionet për çrregullim mendor, përkundër që në vitin 2018 janë ekzaminuar dhe të njëjtit kanë rezultuar që nuk kanë probleme.
Kjo është bërë e ditur sot nga kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione.
Sipas tij, disa prej tyre, përveç që kanë gëzuar statusin e zyrtarëve policorë, kanë gëzuar edhe atë të invalidëve të luftës.
“Duke u bazuar në këtë në vitin 2018, IPK ka kërkuar dhe rekomanduar për shkak edhe të hetimit dhe për shkak të këtij ekzaminimi që të kërkohet suspendimi i këtyre zyrtarëve policorë. Nuk është realizuar ky rekomandim i yni dhe në të njëjtën kohë PK ka kërkuar ekzaminim rishtazi për të gjithë zyrtarët policorë, dhe janë dërguar në një institucion shëndetësor të cilën e ka kontraktuar policia. Pas këtij ekzaminimi që të gjithë kanë rezultuar se janë me shëndet të plotë fizik dhe mental”, tha Hodaj.
Mbledhja e këtij komisioni është mbajtur lidhur me kërkesën e Veton Elshanit dhe 175 zyrtarëve të tjerë policorë që janë invalidë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ky i fundit është ankuar se i janë publikuar të dhënat.
Për këtë, anëtarja e komisionit Teuta Haxhiu ka thënë se një veprim i tillë paraqet shkelje të të drejtave të njeriut.
"Këta zyrtarë kanë fituar statusin e invalidit para se të hyjë ligji në fuqi dhe para se t’i jepet e drejta për kompensim. Ju thatë që është bërë ekzaminimi rishtazi i të gjithëve 94 me probleme mentale. A jeni të sigurt që të gjithë, sepse unë kam të dhëna tjera, që nga këta zyrtarë, konkretisht të zotëri Elshanit që është bërë prapë edhe një herë një rivlerësim të komisionit dhe ka rezultuar me përqindje të njëjtë të invaliditet?”, tha Haxhiu.
Ndërkaq deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Ismaili, ka thënë se është shqetësuese që ky institucion nuk ka asnjë dyshim se këto informacione kanë dalë nga vetë Inspektorati Policor.
“Ju zotëri thoni se IPK nuk ka asnjë më të voglin dyshim për rrjedhën e këtij informacioni. A është kjo që po thoni ju, pasi nesër mund të ketë një tjetër hetim që vërteton gjëra tjera, mirëpo si zot i kësaj shtëpie ku ju jeni përgjegjës, fjala juaj ka shumë rëndësi në këtë rast”, ka thënë ajo.