Derrat e egër janë kthyer në Parkun Gërmia, pas më shumë se një viti, pasi ata kishte rrezik të zhdukeshin si pasojë e gjuetisë së paligjshme.
Rikthimi i tyre është bërë publik me anë të një videoje të publikuar nga faqja “Gërmia Park Wild në Facebook”. Megjithatë, publikimi i kësaj videoje, sipas drejtoreshës së Parqeve në Komunën e Prishtinës, Fatime Hajdari, paraqet rrezik për jetën e kafshëve pasi që gjuetarët mund të dalin për gjah dhe t’i sulmojnë.
Sipas saj, “Gërmia Park Wild” nuk ka marrë leje për një postim të tillë.
Hajdari thotë se kafshët e egra nuk paraqesin rrezik për qytetarët nëse ato nuk ngacmohen.
Ajo bën të ditur se përveç derrave të egër, edhe disa kafshë të tjera janë kthyer në Parkun e Gërmisë.
Rikthimi i kafshëve të egra, sipas Hajdarit, është një begati për florën dhe faunën dhe se qytetarët duhet të jenë të kënaqur për këtë gjë.
Sipas Qenan Maxhunit nga MMPH-ja, mungesa e kapaciteteve humane e bën të pamundshëm mbulimin e të gjitha zonave të mbrojtura, duke përfshirë edhe Parkun e Gërmisë.
Ai thotë se secili person që dëshiron të bëjë monitorimin e kafshëve të egra, duhet ta marrë leje nga Komuna e Prishtinës.
Ndërkaq, disa prej qytetarëve thonë se kanë hasur në derra të egër, kurse, disa prej tyre thonë që nuk kanë hasur asnjëherë, edhe pse kalojnë kohë çdo mëngjes në Parkun e Gërmisë. Rikthimi i këtyre kafshëve në Parkun e Gërmisë nuk po cilësohet i rrezikshëm për qytetarët. Ata thonë se rikthimi i kafshëve të egra në Parkun e Gërmisë është një gjë shumë e mirë.
Përfaqësues nga “Gërmia Park Wild” janë kontaktuar nga Kohavisioni, por ata nuk kanë pranuar që të deklarohen për këtë çështje.