Kontradiktore kanë qenë dëshmitë e dy zyrtarëve të Korporatës Energjetike të Kosovës në Prokurorinë Themelore të Prishtinës me një raport të Auditorit të Brendshëm lidhur me shitjen e mbeturinave metalike në këtë ndërmarrje para disa vjetësh. Ata po e mbronin projektmenaxherin e kësaj kontrate, i cili po akuzohej për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar. Hetimet patën pushuar duke u bazuar edhe në dëshminë e tyre. Këta dy zyrtarë të KEK-ut tash thonë se nuk u kujtohen detajet e këtyre dëshmive
Jonuzi, që atëkohë ishte drejtor ekzekutiv i Divizionit të minierave në KEK, e Gërxhaliu udhëheqës i Zyrës së Departamentin e qymyrit në KEK, më 2018, në cilësinë e dëshmitarëve e e shfajësuan menaxherin e kësaj kontrate nga akuzat me të cilat ngarkohej.
Për të argumentuar dëshminë e tyre, ata e kishin zënë në gojë edhe një raport të Auditorit të Brendshëm të KEK-ut, e që në fakt ky dokument përmbante dëshmi kundër ish-menaxherit të kësaj kontrate.
Policia e Kosovës, Drejtoria për hetmimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit në Prishtinë, më 08.03.2018 ka ushtruar kallëzim penal kundër të pandehurit A.B. “për shkak të dyshmit të arsyeshëm se i njëjti ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar e sanksionuar sipas nenit 422, par. 1 të KPRK-së”. Rasti kishte të bënte me kontratën për shitjen e skrapit në vitin 2017, e që A.B. po e ushtronte pozitën e menaxherit për kontratës.
Siç thuhet në këtë aktvendim të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, A.B. kishte pohuar se për implementimin e marrëveshjes së lidhur midis Korporatës Energjetike të Kosovës dhe ECO Metal sh.p.k. të datës 17 mars 2017, me nr. KEK-SHM-16-003-81,1 ishte emëruar menaxher i kësaj marrëveshje nga menaxhmenti i KEK-ut.
“Ekzekutimi i kësaj marrëveshje ka shkuar ashtu sikurse ka qenë i paraparë me këtë marrëveshje. Ndërsa sa i përket peshimit të mallrave në peshoret jashtë objekteve të KEK-ut kjo ka ndodhur për shkak se peshoret e KEK-ut kanë qenë jashtë funksionit, andaj kanë qenë të detyruar për të bërë matjen jashtë objektit të KEK-ut, porse në secilin rast kjo matje ishte bërë në prani të zyrtarëve të KEK-ut të cilët edhe kishin përpiluar raport zyrtar për një gjë të tillë”, citohet A.B. në aktivendimin e Prokurorisë.
Sipas Prokurorisë, kjo deklaratë e të dyshuarit është konfirmuar në tërësi edhe nga deklarata e dëshmitarëve Sami Gërxhaliu (udhëheqës i Zyrës së Departamentin e qymyrit në KEK) dhe Adil Jonuzi (drejtor ekzekutv i Divizionit të minierave në KEK).
“Se gjithçka ka shkuar siç duhet sipas tyre është konstatuar edhe nga Raporti i Auditimit të Brendshëm të KEK-ut, i cili nuk kishte konstatuar asnjë parregullsi për këtë rast. Po ashtu sipas tyre për implementimin e kësaj kontrate janë formuar dy komisione mbikëqyrëse nga KEK-u anëtarët e së cilave kanë bërë mbikëqyrjen direkte të implementimit të kësaj kontrate dhe se këto komisione asnjëherë nuk kishin konstatuar ndonjë parregullsi në implementimin e kësaj kontrate”, thuhet në dëshminë e Adil Jonuzit e Sami Gërxhaliut në Prokurori.
Por ky raport që ishte klasifikuar si konfedencial nga ana e KEK-ut ka evidentuar shumë parregullsi në këtë kontratë. Aty tregohej për mashtrimin në peshore nga operatori ekonomik fitues, zhvlerësim të bakrit dhe mosregjistrim të ngarkesave me metale. Madje në një rast kamioni pa ngarkesë kishte peshuar më shumë sesa kur ishte ngarkuar me metale.
Megjithatë, Prokuroria Themelore e Prishtinës nuk ka gjetur prova për këtë.
“Prokurori gjatë veprimeve të ndërmarra nuk hasi në asnjë provë inkriminuese në bazë të të cilëve do të argumentohej dyshimi i bazuar se i dyshuari i lartcekur ta ketë kryer veprën penale në kohën dhe vendin e përshkruar në aktvendimin mbi fillimin e hetimeve ndaj të njëjtit apo ndonjë vepër tjetër penale e cila do të ndiqej sipas detyrës zyrtare”, thuhet në aktvendimin e Prokurorisë.
Ndërkohë, siç theksohet në Raportin e Auditorit të Brendshëm, për shkak të shkeljeve të evidentuara, është kërkuar të ndërmerren masa disiplinore ndaj projektmenaxherit, koordinatorit dhe ndaj një komisioni.
Adil Jonuzi e Sami Gërxhaliu nëpërmjet telefonit kanë thënë se tash nuk u kujtohen detajet e këtij rasti.
Të martën KOHA e ka pyetur Prokurorinë nëse e kishin shikuar Raportin e Auditorit të Brendshëm të KEK-ut kur e kanë përmendur Jonuzi e Gërxhaliu, por nuk ka marrë përgjigje.
Përgjigje nuk ka kthyer as Korporata Energjetike e Kosovës nëse pati ndërmarrë masa ndaj Jonuzit e Gërxhaliu, të cilët kanë deklaruar të kundërtën e asaj që përmbante Raporti.