Arbëri

Zyrtarë të ish-Ministrisë së Diasporës s’i kanë arsyetuar 21,500 euro harxhime në udhëtime zyrtare

Zyrtarë të ish-Ministrisë së Diasporës për vite rresht nuk kanë arsyetuar me fatura dhe dëshmi të tjera rreth 21 mijë e 500 euro, të cilat u ishin dhënë si avancë për udhëtime zyrtare.

Kjo ministri është fuzionuar në atë të Punëve të Jashtme dhe tek në shtator zyrtarët janë përballur me kërkesën për t’i kthyer paratë.

Në Ministri kanë konfirmuar këtë të dhënë.

“Kabineti i ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës është vënë në dijeni të avancave të pambyllura nga ish-Ministria e Diasporës, nëpërmjet rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditorit përmes Raportit të Pasqyrave Financiare”, thuhet në një përgjigje të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. “Si rrjedhojë përmes Planit të veprimit të auditimit është paraparë që të adresohet kjo çështje deri në shtator të këtij viti, kur edhe është arritur të përmbyllet kjo çështje përmes mbylljes së avancave”.

Pas një kërkese për qasje në dokumente publike, Ministria e Punëve të Jashtme ia ka vënë KOHËS në dispozicion shumat që secili zyrtar nuk i kishte arsyetuar.

Kampion për shumën e paarsyetuar është Avdyl Lipoveci. Ai nuk kishte faktuar harxhimet në vlerë rreth 13 mijë e 500 euro, për një udhëtim zyrtar të realizuar në vitin 2017 dhe për 6 të tjera në vitin pasues.

Ejup Kamberaj për tri udhëtime zyrtare të realizuara gjatë 2019-s kishte marrë si avancë 3 mijë e 700 euro. Me vendim, atij do t’i ndalen nga paga shuma e avancave që nuk ka mundur t’i arsyetojë.

Ardian Selishta për një udhëtim në 2020-n i kishte marrë avancë rreth 1 mijë e 500 euro, e një vit më herët Shqipe Shasivari 299 euro. Asnjëri nga ta nuk kishte arsyetuar harxhimet deri sivjet.

Ndërkaq dy zyrtare të tjera, që për një udhëtim secila kishte tërhequr avancë nga 1 mijë e 288 euro, vlerën e shpenzimeve të pambuluara me fatura e kishin kthyer me kohë, por mbyllja e avancave ishte vonuar për arsye të fuzionimit të Ministrive.

Nëpërmjet Ministrisë, KOHA ka kërkuar nga secili prej këtyre zyrtarëve arsyet që lidhen me moskthimin e parave të marra si avancë. Përgjigjet kanë munguar.

Të tilla para ishin mbajtur, ani se Udhëzimi Administrativ për Udhëtime Zyrtare kërkon që mjetet të cilat merren si avancë për të tilla udhëtime duhet të arsyetohen në një afat prej 15 ditësh pas kthimit.