Arbëri

Zyrapi flet për urdhrat që lëshonte Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së

Bislim Zyrapi gjatë dëshmisë së tij në Speciale ka thënë se secila prej brigadave ka pasur dhoma parandalimi për masa disiplinore. Zyrapi është pyetur lidhur me rolin dhe funksionet që bartnin disa nga pozitat brenda Shtabit. Ai dëshmoi edhe lidhur me urdhrat që iu lëshoheshin komandantëve të zonave

Bislim Zyrapi, që për një kohë ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, të martën, në ditën e dytë të dëshmisë së tij në Gjykatën Speciale në Hagë, është pyetur për disa dokumente të lëshuara nga Shtabi, e shumica prej tyre të nënshkruara nga vetë ai.

Ai ka shpjeguar strukturën, hierarkinë dhe komunikimin mes Shtabit të Përgjithshëm dhe komandantëve të zonave dhe brigadave.

Në njërin prej dokumenteve që i janë prezantuar, Zyrapi ka thënë se ka qenë urdhër për komandantët e zonave.

“E njoh është dokumenti im, i nënshkruar nga unë, me vulë të Shtabit të Përgjithshëm. Është një urdhër i cili tregon se si referojnë apo raportojnë komandantët e zonave kur të vijnë në takimin në Shtab dhe çka duhet të përmban ai raport”, ka thënë ai.

Prokurorja Claire Lawson ia ka prezantuar edhe një dokument tjetër Zyrapit dhe i ka kërkuar që të shpjegojë rolin e shefit të Shtabit dhe komandantit të përgjithshëm.

“Këtu përmenden edhe komandanti, edhe shefi i Shtabit, a mund të na shpjegoni dallimin mes këtyre të dyjave, çfarë keni dashur të thoni?”, ka pyetur ajo.

Zyrapi ka dhënë përgjigje edhe për këtë.

“Raportet e shumta kanë ardhur nga komandantët e zonave te shefi i shtabit të cilat janë përpunuar dhe dërguar te komandanti”, ka thënë ai.

Zyrapi ka thënë se në kuadër të Shtabit ekzistonin 3 njësite: Batalioni Vëzhgues, Policia Ushtarake pranë Shtabit të Përgjithshëm, dhe Kompania e Logjistikës, të cilat numëronin afro 300 anëtarë.

E, po ashtu, ka shpjeguar rolin e Policisë Ushtarake pranë Shtabit.

“Policia Ushtarake pranë Shtabit të Përgjithshëm ka qenë ta ruajë Shtabin e Përgjithshëm, objektet e saj, ta përcjellë Shtabin e Përgjithshëm në çdo lëvizje në territorin e Kosovës dhe sa herë të lëvizë Shtabi. Kryesisht është siguria dhe ruajtja e Shtabit të Përgjithshëm”, ka thënë Zyrapi.

Ish-shefi i Shtabit është pyetur edhe për një dokument, i cili ishte nënshkruar nga komandantët e brigadave të Zonës së Pashtrikut. Ka theksuar se Shtabi komunikonte me komandantët e zonave, të cilët urdhrat i shpërndanin nëpër zona dhe nëse kërkohej, ato edhe nënshkruheshin nga komandat e brigadave si dëshmi që e kanë pranuar urdhëresën.

Gjithashtu Zyrapit i është prezantuar një dokument me anë të të cilit ai kishte ndaluar arrestimet nga Njësia Speciale e Policisë Ushtarake.

Ai ka konfirmuar se kjo njësi nuk ka pasur të drejtë që ta arrestojë askënd.

Dëshmitari Bislim Zyrapi ka thënë se secila prej brigadave ka pasur dhoma parandalimi për masa disiplinore.

Të martën, ai e ka përmbyllur dëshminë e tij 2-ditore në Hagë, ku po gjykohen ish-udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.