Që nga korriku deri në nëntor, Bekim Hoxha ka shpenzuar afro 3.600 euro nga buxheti i shtetit për gjashtë vizita zyrtare. E në tetor Hoxha ka qëndruar për tetë ditë në Letoni, ku ka marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Lëvrimit me ftesë të organizatës World Ploughing Contest, në të cilën është anëtar i Bordit. Ani se shpenzimet e akomodimit ishin mbuluar pothuajse të gjitha nga nikoqiri, Hoxha ka marrë rreth 500 euro nga kuleta e AUV-it për këtë udhëtim
Ka vetëm pesë muaj që është emëruar në pozitën e zëvendësuesit të kryeshefit në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës. Por, Bekim Hoxha ia ka kaluar me vizita dhe shpenzime në udhëtime zyrtare ish-kryeshefave të këtij institucioni.
Që nga korriku deri në nëntor ai ka shpenzuar afro 3.600 euro nga buxheti i shtetit në gjashtë vizita zyrtare.
E në tetor Hoxha ka qëndruar për një vizitë 8-ditore në Letoni, ku ka marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Lëvrimit me ftesë të organizatës World Ploughing Contest, në të cilën është anëtar i Bordit.
Ani se shpenzimet e akomodimit ishin mbuluar pothuajse të gjitha nga nikoqiri, Hoxha ka marrë rreth 500 euro nga kuleta e AUV-it për këtë udhëtim.
“Zëvendësdrejtori ekzekutiv aktual është anëtar i bordit të organizatës World Ploughing Contest. Në anën tjetër, në ketë udhëtim zyrtar janë mbajtur takime me Autoritetin e Mbrojtjes se Bimëve të Letonisë, me të cilin kemi bashkëpunim përmes projekteve të realizuara nga vitit 2018 financuar nga BE, për fushën e shëndetit bimor”, thuhet në përgjigjen e AUV-it.
Shpenzimet e Hoxhës janë më shumë se dyfishi i atyre që ka shpenzuar pararendësi i tij, Flamur Kadriu, për një vit. Kadriu gjatë kësaj periudhe ka realizuar vetëm 3 udhëtime zyrtare, ndërsa ka shpenzuar rreth 1 mijë e 500 euro.
Sipas të dhënave që ka siguruar KOHA, as ish-kryeshefi i AUV-it, Valdet Gjinovci, gjatë 2019-s nuk ka shpenzuar më shumë se Hoxha.
Brenda asaj periudhe Gjinovci pati zhvilluar katër vizita, duke shpenzuar për akomodim, mëditje dhe shpenzime të tjera rreth 2 mijë euro.
Për akomodim në udhëtime zyrtare Hoxha ka shpenzuar 1.524 euro. Për ushqime gjatë këtyre vizitave ka shpenzuar 1.270 euro, kurse 700 euro për shpenzime të tjera.
Hoxha pak pas vendosjes në pozitën e kryeshefit ka udhëtuar për në Budapest në takim pune me ministrin e Bujqësisë së Hungarisë për, siç thuhet, bashkëpunim midis institucioneve në fushën e veterinarisë dhe sigurisë ushqimore.
Më pas, nga 10 deri më 14 shtator, ai ka qëndruar për vizitë studimore në Agjencinë Kroate për Bujqësi dhe Ushqim dhe në Qendrën për Vitekulture dhe Entologji në Itali.
Për 10 ditë Hoxha ka qëndruar edhe në Iowa të Amerikës, për të marrë pjesë në simpoziumin e “World Food Prize 2023”, ku ishte edhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci.
Edhe dy udhëtime të tjera dyditore i realizoi në Sarajevë dhe Tiranë.
Përveç shpenzimeve në udhëtime Hoxha, sipas të dhënave të AUV-it, brenda katër muajve ka shpenzuar në karburante më shumë se gjysmën që e ka shpenzuar ish-kryeshefi Kadriu për gati 2 vjet.
Derisa Kadriu nga 27 gushti i vitit 2021 deri më 6 qershor 2023 shpenzoi 922 litra derivate, Hoxha për katër muaj ka shpenzuar 510 litra.
E ish-kryeshefi Naser Krasniqi për një vit ka shpenzuar 714 litra derivate. Më shumë shpenzime në karburante për një vit ka bërë ish-kryeshefi Valdet Gjinovci, kur në tetë muajt e parë të vitit 2021 shpenzoi 1.125 litra derivate në vlerë monetare 1.091 euro.