Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, i është përgjigjur ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, që të enjten gjatë ditës u shpreh se emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, nuk ka arritur ta bindë kryeministrin Kurti për kompromis për CEFTA-n.
Rohde gjatë ditës tha se tani Marrëveshja e Tregtisë së lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) mund të vazhdojë me shtetet tjera, pa Kosovën në marrëveshjen e BE-së për lehtësimin e këmbimeve tregtare.
Ndërsa Zulfaj, në reagim ka thënë se Kosova është shteti më proaktiv i Procesit të Berlinit.
“Sot kryeministri Kurti takoi emisarin gjerman, Manuel Sarrazin, për të diskutuar për mundësitë e zhbllokimit të vendimmarrjes në CEFTA. Pas tre vjetësh të bllokadës së Serbisë brenda CEFTA-s, kemi një zgjidhje kompromisi. Tani Serbia ka kushtëzuar këtë zgjidhje me heqjen e masave të sigurisë së Kosovës në pikëkalimet kufitare me Serbinë. Këto dy çështje nuk lidhen. Masat e Kosovës nuk janë tregtare, por që derivojnë nga kërcënimet për sigurinë tonë kombëtare, të vendosura nga autoritetet e sigurisë dhe jo nga Ministria e Tregtisë. Kosova është anëtarja më proaktive e Procesit të Berlinit dhe kryeministri Kurti vazhdimisht e ka promovuar integrimin e mëtejmë”, ka shkruar Zulfaj në Twitter.
CEFTA synon t’i eliminojë barrierat mes shteteve dhe të tërheqë investime në rajon. Shtetet anëtare të CEFTA-s, që u nënshkrua më 2006, janë Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Maqedonia, Moldavia, Serbia dhe Kosova që përfaqësohet me emrin “UNMIK/Kosova”. Kosova ka kërkuar barazi në këtë marrëveshje, e tani për këtë Serbia ka kushtëzuar me heqjen e barrierave ndaj mallrave të saj.