Arbëri

ZRRE-ja arsyeton shtrenjtimin e paralajmëruar të rrymës me çmimet në bursa

Rryma

Nga 1 maji pritet të hyjë në fuqi vendimi për tarifat e reja të energjisë, e të cilat do të miratohen më 11 prill, ka bërë të ditur Zyra e Rregullatorit të Energjisë në një takim me gazetarë të hënën. 

Drejtori menaxhues i ZRRE-së, Petrit Pepaj, ka arsyetuar propozimin për rritje prej 15 për qind, duke thënë se kjo është shkak i çmimeve në bursa të energjisë.

“Shkaktari kryesor është çmimi që ka ndodhur në bursat e energjisë elektrike, ky është shkaktari kryesor dhe nuk ka përshtatje të tjera që kanë ndikuar në këtë 15%. Të jeni të sigurt edhe në raport me investimet dhe vlerat e tjera të efikasitetit dhe në raport me lakoren e humbjeve, rregullatori i ka njohur vetëm ato që i ka njohur gjatë shqyrtimit. Shkaktari kryesor për rritjen e propozimit të rrymës është çmimi i shkaktuar i energjisë elektrike. Duhet të kemi konsideratë që gjatë këtij viti njësitë e Kosovës B do të jenë në remont të gjatë dhe kërkesa për import është e domosdoshme për të mundur të sigurojmë furnizim të qëndrueshëm për konsumatorët”, ka thënë ai.