Arbëri

Mbrojtja e akuzoi se keqinterpretoi komentet e Pallaskës, ZPS: Sipas çdo standardi me vetëdije ishin të rreme ose mashtruese

Hashim Thaçi

Në kundër-përgjigjen e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) ndaj përgjigjes së mbrojtjes së Hashim Thaçit ndaj Prokurorisë për “Kërkesë për kujdes ndaj z. Dastid Pallaska”, thuhet se standardi i sjelljes me vetëdije të rreme ose mashtruese është përmbushur.

“Asnjë nga arsyet e paraqitura nga mbrojtja e Thaçit nuk e ndryshon faktin se z. Pallaska bëri deklarata publike që sipas çdo standardi objektiv, me vetëdije ishin të rreme dhe/ose mashtruese. Në këto rrethana, dhënia e një paralajmërimi është një masë e përshtatshme që Paneli duhet të marrë”, thuhet në këtë përgjigje, raporton BpD.

Përgjigja e ZPS-së vjen pasi mbrojtësi i Thaçit, avokati Gregory Kehoe përmes një kërkese, ka akuzuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS), për manipulim me prova. Po ashtu, aty theksohet se komentet publike të Pallaskës për gjyqin ndaj UÇK-së, Raportin e Martyt janë në linjë me ato të mbrojtjes dhe se themeli qëndron në keqinterpretimet e ZPS-së për komentet e Dastid Pallaskës.

Pallaska në një deklarim në RTK kishte thënë edhe se “e gjithë UÇK-ja po gjykohet, me qëllimin që ta deklarojë Kosovën ‘një shtet kriminal’”. Mes tjerash, ai kishe folur edhe për artikujt e mediave të cilët po përdorën si prova nga ZPS-ja.

Lidhur përgjigjen e ZPS-së, KOHA ka pyetur edhe Pallaskën por ai ka thënë se “nuk ka koment për këtë” dhe se “qëndrimi i mbrojtjes sa i përket kësaj çështje është i prezantuar në mënyrë gjithëpërfshirëse në përgjigjen tonë me shkrim për gjykatën, e cila është publikuar në uebfaqen e Dhomave të Specializuara më 22 maj”.

Në këtë shkresë avokatit i ish-kreut të UÇK-së, Hashim Thaçi, Gregory Kehoe ka akuzuar ZPS-në, për manipulim me prova. Po ashtu aty theksohet se komentet publike të Pallaskës për gjyqin ndaj UÇK-së, Raportin e Martyt janë në linjë me ato të mbrojtjes së Thaçit.

Aty thuhet se themeli qëndron në keqinterpretimet e ZPS-së për komentet e Pallaskës. Sipas mbrojtjes ZPS-ja ka manipuluar vërejtjet e Pallaskës për të prodhuar një pretendim se ky i fundit, sipas ZPS-së “Akuzon publikisht Prokurorinë për propagandim të ‘të pavërtetave’, për ta etiketuar Kosovën si shtet kriminal”.

Mbrojtja ka theksuar se transkripti i deklaratave televizive të Pallaskës, të cilat sipas tyre, ZPS-ja i ka paraqitur në mënyrë të pashpjegueshme dhe në mënyrë konfidenciale për të mos lejuar që publiku t’i shohë ato, e bën të qartë se Pallaska po i referohej qëllimit të Serbisë për ta kriminalizuar Kosovën si shtet.

“Ky manipulim i provave nga ZPS-ja me qëllim të prodhimit publik, akuzat për keqbërje kundër avokatit duhet të adresohen në mënyrë të përshtatshme nga ana e avokatit”, thuhet në përgjigje.

Sipas mbrojtjes, komentet e Pallaskës thjesht përsërisnin mbrojtjen e konsoliduar mirë dhe qëndrimet për çështjet që janë pjesë e mbrojtjes së Thaçi.

“Prandaj, mbrojtja mohon që vërejtjet e Pallaskës të ishin të rreme ose mashtruese. Për më tepër, standardi të cilën kërkesa e ZPS-së duhet të plotësojë është e përcaktuar në Urdhrin e Trupit Gjykues për Zhvillimi i procedurës, çka e bën të qartë se ZSP-ja duhet ta provojë atë avokat bëri vërejtje të cilat ishin “mashtruese me qëllim ose me vetëdije””, thuhet aty.

Ndërkohë paraprakisht, në fillim të kundër-përgjigjes së ZPS-së thuhet se Prokuroria i përgjigjet mbrojtjes së Thaçit për dy çështje.

“Së pari, një avokat i caktuar me detyrime, ndër të tjera, sinqeritet dhe zell, nuk mund të mbështetet në injorancën për të shmangur përgjegjësinë për deklaratat e tij publike”, thuhet në parashtresë.

Dhe së dyti, sipas tyre artikulimi i pozicioneve të mbrojtjes në publik nuk e liron avokatin nga respektimi i nenit 13 (a) të Kodit të Sjelljes.

Tutje, thuhet se mbrojtja e Thaçit përderisa i bën një sfidë kontekstuale interpretimit të një citati, nuk e mohon saktësinë tekstuale të deklaratave që i atribuohen Pallaskës, por në vend të kësaj, mbrojtja e Thaçit pohon, ndër të tjera, se Prokuroria ‘ka dështuar të përmbush barrën e saj’ për të vërtetuar se komentet e Pallaskës ishin mashtruese qëllimisht ose me vetëdije.

“Megjithatë, Thaçi nuk ofron ndonjë test përkatës në mbështetje të këtij pohimi. Ai thjesht nuk pajtohet me parashtresat e Prokurorisë’’, thotë ZPS-ja në këtë parashtresë.

Tutje, thuhet se duke zbatuar standardin për komentet e Pallaskës të cituara në kërkesë, trupi gjykues ka të drejtë të konkludojë se komentet e tij ishin me vetëdije të rreme dhe/ose mashtruese, duke pasur parasysh ‘detyrimet e avokatit për sinqeritet, zell, dinjitet dhe integritet’.

Si përfundim, sipas ZPS-së, komentet e Pallaskës mund të rrisin “klimën e përgjithshme të ndërhyrjes së dëshmitarëve dhe frikësimit të dëshmitarëve që mbizotëron në Kosovë, veçanërisht në procedurat penale kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së” – një çështje shqetësuese gjyqësore në këtë rast dhe procedura të tjera para DHSK-së dhe se ndërhyrja e duhur nga gjyqësori me anë të një kujdesi mund të shërbejë për të zbutur këto rreziqe të rritura.