Prokurorët nga Specialja kanë argumentuar se ofrimi apo jo i listës përbën çështje të vullnetit të tyre, porse këtë e kanë kundërshtuar prokurorët, duke aluduar në mundësinë e kërcënimit të dëshmitarëve. “Prokuroria vëren se ka faktorë të ndryshëm që bien ndesh me këtë kërkesë dhe natyra e pabazuar e kësaj kërkese është e reflektuar në praktikën e çdo institucioni që mund të krahasohet me institucionin tonë”, është shprehur prokurori Alan Tieger
Afat deri më 18 nëntor i ka dhënë të enjten gjyqtari Nicolas Guillou, Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në kuadër të Dhomave të Specializuara të Kosovës Hagë për ofrimin e listës me emrat e 40 dëshmitarëve që synohet të thirren për të dëshmuar në kuadër të procesit ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Avokatët mbrojtës kanë shprehur ankesë të enjten, gjatë konferencës së 14-të mbi ecurinë e rastit të njohur si “Thaçi dhe të tjerët”, edhe për mungesë të një liste, me të cilën do të bëhej e ditur koha kur secili dëshmitar do të paraqitet para Gjykatës.
Katër ish-udhëheqësit e UÇK-së - Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi - akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit për periudhën mars 1998-shtator 1999.
Në konferencën e së enjtes, prokurorët nga Specialja kanë argumentuar se ofrimi apo jo i listës përbën çështje të vullnetit të tyre, porse këtë e kanë kundërshtuar prokurorët, duke aluduar në mundësinë e kërcënimit të dëshmitarëve.
“Prokuroria vëren se ka faktorë të ndryshëm që bien ndesh me këtë kërkesë dhe natyra e pabazuar e kësaj kërkese është e reflektuar në praktikën e çdo institucioni që mund të krahasohet me institucionin tonë”, është shprehur prokurori Alan Tieger.
Kundërshtime për këtë pati Ben Emmerson, avokat i ish-kryeparlamentarit Kadri Vesel. Ai ka thënë se Prokuroria nuk ka bazë kur flet për frikësimin e dëshmitarëve teksa ka pohuar se klienti i tij e ka promovuar publikisht bashkëpunimin me gjykatën speciale.
“Ai, pra z. Veseli, më ka kërkuar specifikisht që të theksoj këtë pjesë të deklaratës që e ka bërë në momentin e arrestimit dhe në seancën e parë. Ai dëshiron të theksojë edhe një herë tjetër se të gjithë ata që u është kërkuar të japin dëshmi përpara kësaj gjykate, të jenë bashkëpunues në çdo aspekt të mundshëm”, ka thënë avokati Emmerson.
Mbrojtja ka shprehur ankesë edhe se nga ZPS-ja nuk u dorëzohen në kohë materialet shfajësuese.
Gregory Kehoe, avokat i ish-presidentit Thaçi, është ankuar për shkeljen e afateve.
“Unë po ju drejtohem z. gjyqtar se ata nuk e kanë zbatuar urdhrin tuaj. Po ia jap fjalën edhe kolegut tim, por qëndrimi që ata kanë është shqetësues dhe ende nuk kemi një përgjigje pse ka vonesë në nxjerrjen e materialeve”, është shprehur Kehoe.
Me tone më të ashpra në këtë kërkesë është shprehur avokati i ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, Aidan Ellis.
“Ajo çka kërkon rregulla 103 në parashtrimet tona është shumë e thjeshtë. Kërkon nxjerrje të menjëhershme të materialeve shfajësuese. E kërkon këtë sa më shpejt, sapo ta kenë në zotërimin e tyre”, ka thënë Ellis. Prokurorët nga Specialja kanë theksuar se materialet me vëllim të madh do t’i dorëzohen mbrojtjes para 30 shtatorit. Gjyqtari i procedurës paraprake i ka dhënë urdhër mbrojtjes që deri më 28 tetor të tregojë se kur hiqen redaktimet nga aktakuza.
Guillou ka urdhëruar mbrojtjen që njoftimet për alibi apo arsyet që e përjashtojnë përgjegjësinë penale t’i bëjë deri më 28 tetor dhe që njoftim për çfarëdo mundësie hetimore unike ta dorëzojë deri më 7 tetor, përfshirë edhe informatat mbi përgatitjen në rast të miratimit të kërkesës.
Deri më 18 nëntor, Gjykata i ka dhënë afat edhe Prokurorisë edhe mbrojtjes për t’ia parashtruar pikat faktike dhe ligjore, në të cilat palët kanë arritur pajtim.
Zyra e prokurorit të specializuar ka dorëzuar më 29 prill një aktakuzë të ndryshuar kundër Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit, në të cilën pretendohet se të akuzuarit kanë kryer krime lufte në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.