Prokurori i specializuar, Alex Whiting, sot në deklaratën hyrëse në Hagë në fillimin e gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, kishte treguar se si ish-presidenti Thaçi disa herë kishte shkuar në Hagë “fshehurazi dhe kishte dhënë intervista të videoincizuara”.
“Hashim Thaçi erdhi disa herë fshehurazi në Hagë për t’i dhënë ZPS-së intervistë të videoincizuar. Gjatë këtyre intervistave ai mohoi shumëçka me rolin e tij në luftë dhe rolin e UÇK-së. Ai pretendoi se Shtabi i Përgjithshëm s’kishte asnjë funksion deri në nëntor të 98-s, e edhe para kësaj date ekzistonte vetëm në letër. Ai e mohoi se kishte dijeni për ndalimet. Provat do të tregojnë se këto pretendime janë të rreme”, tha Whiting.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në emisionin “DESKU” në KTV më 22 shtator të vitit 2020, kishte akuzuar Thaçin se “ka kënduar për 4 ditë si bilbil” në Hagë.
“Presidenti aktual paratë nuk i jep se shokët po. Shokë ka me dhënë, por para jo. Por tash s’ka as shokë, sepse e ka pa edhe ai, kur ai në krye shikon interesin personal, çfarë bëjnë tjerët. A është ai që thoshte në Euronews e jam larg vijave të frontit. Çka i bjen kjo? Merrni ata që janë te vija e frontit se unë jam larg. Merrni shokët e mi se unë kam qenë larg. Kështu i bjen kjo punë. Kur thu se unë jam larg vijave të frontit, atëherë thua merrni pulat që kanë qenë afër vijave të frontit. Por mos me dal nga specia e shpezëve, por në një lloj tjetër. A shkoi në Gjykatën Speciale. A ka kënduar katër ditë si bilbil. Ka kënduar katër ditë para Prokurorisë. Çka ka kënduar? Po të thoshte ky si president se Gjykata Speciale është e padrejtë, të dashur deputetë e qytetarë e bashkëluftarë unë jam penduar dhe nuk do të shkojë në Gjykatën Speciale, atëherë me të vërtetë do të kishim për detyrë ta dëgjonim. Por shkoi këndoi katër ditë si bilbil me dyer të mbyllura, se dimë çka ka knu. E tash kishe po qpurthi, me do dosje, jo njoni me kapuç, jo doli prej lifti, e jo prej shkallëve. Nuk e di a janë inskenime, por filma të lodhtë po, filma të shkurtër të lodhët. Por na shqiptarët se kemi pasur traditë të marrojmë kësi filma. Serbia i marrojke këto, na shqiptarët jo . Ne kemi ardhur deri këtu për shkak të Rilindasve tonë dhe sinqeritetit. Kësi filma s’kemi ditë me bo. Nuk e di ku i mësum”, kishte thënë Kurti.