Arbëri

ZPS: Dëshmitari 1 u frikësua që ta tërheqë dëshminë ndaj Selimit

Rexhep Selimi

Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës, Michael Doyle, ka thënë se më 8 korrik janë konfirmuar ndryshimet në aktakuzën e përbashkët ndaj Sabit Januzit, Haxhi Shalës dhe Ismet Bahtijarit.

Sipas Doylet, ndryshimi kryesor lidhet me shtimin e akuzave kundër Januzit dhe Bahtijarit për frikësim përmes premtimit ose dhuratës e cila përkufizohet edhe me Kodin Penal të Kosovës.

“Ndryshimi kryesore i konfirmuar shton në akuzat kundër z. Januzi dhe z. Bahtijari akuzën e frikësimit përmes premtimit ose dhuratës, siç përkufizohet në Kodin Penal të Kosovës”, ka thënë Doyle.

Ai ka deklaruar se gjykatësja e procedurës paraprake ka konstatuar se materialet mbështetëse tregonin se gjatë kontaktimit të dëshmitarit më 12 prill, Januzi kishte përmendur dëshminë e tij si dhe kishte treguar se sipas Haxhi Shalës ai ishte dëshmitar kundër Rexhep Selimit.

“Gjykatësja e Procedurës Paraprake konstatoi se materialet mbështetëse tregonin se gjatë kontaktimit të dytë të një dëshmitari më 12 prill 2023, z. Januzi përmendi dëshminë e dëshmitarit dhe shpjegoi se, sipas Haxhi Shalës, dëshmitari ishte dëshmitar kundër Rexhep Selimit. Sipas materialit mbështetës, z. Januzi përcolli një mesazh nga z. Shala, gjegjësisht se, në qoftë se ekzistonte mundësia që dëshmitari të pajtohej të tërhiqte dëshminë e tij kundër z. Selimi, atëherë z. Shala dhe të tjerë “ishin të gatshëm t’i përmbushin çfarëdo nevoje [dëshmitarit 1]” ose e thënë ndryshe, “ai [dëshmitari 1] na ndihmon ne dhe ne [z. Shala dhe të tjerë] ndihmojmë atë”, ka thënë Doyle.

Ai gjithashtu ka thënë se për seancën vijuese do të paraqitet Januzi dhe Bahtijari për shkak të akuzave të reja ndërsa, pjesëmarrja e Shalës nuk nevojitet pasi që pretendimet ndaj tij ishin pjesë e aktakuzës fillestare.

Në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Doyle ka treguar për problemin që ndodhi sa i takon moslejimit të kravatës së Krasniqit.

“Përpara seancës më 8 korrik, shërbimi i sigurisë së DHSK-së i kërkoi z. Krasniqi të hiqte kravatën derisa të merrnin sqarim nga shefi i paraburgimit nëse rregullat e paraburgimit për ndalimin e disa veshjeve kishin zbatim në këtë rast. Kravata iu kthye z. Krasniqi po atë ditë dhe shefi i paraburgimit konfirmoi se lejohej mbajtja e kravatës”, ka thënë ai.

Ndërsa, lidhur më çështjen e vizitave dhe komunikimeve që kanë dal në disa media sipas Doylet informacioni është i pasaktë.

“Në lidhje me të njëjtën çështje gjyqësore do të doja të trajtoja disa artikuj të pasaktë në media lidhur me vizitat dhe komunikimet me anëtarët e familjeve të të akuzuarve në objektin e paraburgimit. Në dhjetor 2023, Trupi Gjykues vendosi disa kufizime për vizitat dhe komunikimet që vlejnë vetëm për tre nga të akuzuarit: Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin. Kjo u bë për të mbrojtur dëshmitarët pasi Prokuroria dorëzoi transkripte të komunikimeve mes tre të akuzuarve dhe vizitorëve të tyre, ku duket se të akuzuarit u dhanë vizitorëve të tyre informacion konfidencial lidhur me dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtur”, ka thënë Doyle.

Sipas tij, tre të akuzuarve u lejohen vizitat dhe komunikimet me disa kufizime ndërsa ato të familjarëve nuk janë të kufizuara./BetimipërDrejtësi