Objektivi i qeverisë komunale të Prizrenit për funksionalizimin e Parkut të Biznesit gjatë vitit 2022 nuk është përmbushur. Tani ekzekutivi komunal po synon hartimin e Planit Rregullues të hollësishëm për këtë hapësirë, sipas Hartës Zonale. Opozita konsideron se qeveria komunale nuk është e interesuar që të punojë për interesin qytetar
Funksionalizimi i zonës për industri të lehtë - Parku i Biznesit, si njëri prej objektivave më të rëndësishëm për vitin 2022 të qeverisë lokale në Prizren, nuk është realizuar, pavarësisht disa veprimeve të ndërmarra nga organet komunale gjatë vitit të shkuar.
Opozitarët konsiderojnë se qeveria komunale ka dështuar në këtë aspekt, pasi nuk është e interesuar që të punojë për interesin e qytetarëve.
Shefi i Grupit të asamblistëve të VV-së, Karanfil Haxhillari, ka theksuar se premtimi i ekzekutivit lokal ka qenë që kjo çështje të kryhet në 100 ditët e para të qeverisjes. Por, sipas tij, qeveria aktuale nuk ka lëvizur asnjë milimetër prej punëve që janë kryer në mandatin e kaluar.
"Dhe nuk i shihet as fillimi i ndonjë pune konkrete sa i përket Zonës Ekonomike të Prizrenit. Ne prapë e them publikisht ,si opozitë në këtë qeverisje lokale do ta japim mbështetjen tonë, sepse kjo në fund të ditës është në interes të bizneseve të Komunës së Prizrenit, pasi Prizreni si njëri prej qyteteve më të mëdha në Kosovë nuk ka ndonjë zonë ekonomike. Por kjo qeverisje nuk është e interesuar që të punojë për interesin qytetar", ka thënë Haxhillari.
Vendimi për lejimin e riparcelimit në Parkun e Biznesit ishte miratuar nga Kuvendi i Prizrenit në seancën e mbajtur më 22 shtator 2022. Por MMPHI-ja e pati vlerësuar si të kundërligjshëm vendimin. Pas konsultave është proceduar vendimi për hartimin e Planit Rregullues të Hollësishëm për këtë zonë sipas Hartës Zonale, që është miratuar më 1 dhjetor nga Kuvendi i Prizrenit.
Zëdhënësja e Komunës së Prizrenit, Jona Hoxha, ka shprehur qëndrimin se organet komunale kanë punuar intensivisht për funksionalizimin e Parkut të Biznesit, dhe se gjatë këtij rrugëtimi ka pasur kërkesa ligjore nga niveli qendror që kanë pamundësuar përmbylljen më të shpejtë të procedurave.
“Në DUPH është bërë kërkesë që duhet të bëhet një projekt i hollësishëm se si duhet të funksionalizohet ajo zonë, prandaj ata janë duke e bërë hartimin e detyrave projektuese që do të dalin në tender dhe pastaj do të kontraktohet ndonjë operator ekonomik për të bërë funksionalizimin e asaj zone”, është shprehur Hoxha.
Procesi i krijimit të Zonës Ekonomike në Prizren pati filluar para më shumë se një dekade dhe që nga ajo kohë Parku i Biznesit nuk është funksionalizuar, derisa Komuna deri tani në këtë hapësirë ka investuar afro 3 milionë euro.