Arbëri

Zogaj: Salla Koncertale e Galeria e Arteve s’po bëhen shkaku i masave të BE-së

“Këto dy projekte kanë ngecur krejt si pasojë e sanksioneve ndaj Kosovës, si rrjedhojë nga vendimmarrja e gabuar dhe krejtësisht e paaftë e Qeverisë, e cila është treguar amatore në veprimet e veta dhe politikat menaxheriale”, ka thënë Zogaj

Masat ndëshkuese ndaj Kosovës, që Bashkimi Evropian po i mban në fuqi që nga trazirat e vitit të shkuar në veri, sipas Komunës së Prishtinës, janë bërë shkak për zvarritjen dhe mosrealizimin e një sërë projekteve kapitale në kryeqytet. Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, ka thënë se bëhet fjalë për projektet e ndërtimit të Sallës Koncertale dhe të Galerisë së Arteve, që ende nuk janë nisur. 

“Këto dy projekte kanë ngecur krejt si pasojë e sanksioneve ndaj Kosovës, si rrjedhojë nga vendimmarrja e gabuar dhe krejtësisht e paaftë e Qeverisë, e cila është treguar amatore në veprimet e veta dhe politikat menaxheriale. Qeveria duhet të dakordohet me partnerët tanë të BE-së, por edhe me partnerë të tjerë, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të koordinohet me ta, sepse kjo sa është shqetësuese është edhe e pafalshme”, ka thënë nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj.

Donacioni i BE-së për këtë projekt, tashmë është pezulluar.

Fidan Qerimi, njohës i çështjeve ekonomike, thotë se masat e pamundësuan qasjen e Kosovës në fondet e asistencës për anëtarësim në BE.

“Kemi pasoja prej masave që janë ndërmarrë nga BE-ja ndaj Kosovës, ne kemi një pezullim të qasjes sonë të fundit prej 14.2 miliardë euro që janë të destinuara për shtetet të cilat janë për asistencë për anëtarësim në BE. Kjo asistencë ka ndikim në tranzicion dhe ndërtim të institucioneve, bashkëpunimin ndërkombëtar, zhvillimin rajonal”, ka thënë ai. 

Ndikimi me pasoja më të mëdha, sipas Qerimit ka të bëjë me ekonominë që prek zhvillimin dhe mirëqenin e qytetarëve.

“Aty janë humbur disa biznese, disa vende të punës, por çka është e rëndësishme, është edhe prodhimet e atyre bizneseve nuk janë në tregun kosovar që kemi importe të jashtëzakonshme të kësaj pjese dhe është një ndikim zinxhiror që ka ndikim në disa fusha, në disa pjesë që ka ndikim në ekonomi dhe mirëqenie të popullatës së Kosovës”, ka thënë ai.

Bashkimi Evropian i vendosi masa ndëshkuese Kosovës, në qershor të vitit të kaluar. Ato e përfshijnë ndaljen e programit të fondeve për Kosovën nga IPA. Në kuadër të IPA3, BE-ja është zotuar që t’ia ndajë Kosovës më shumë se 62 milionë euro.