Arbëri

Kastrati: Kosova do të ketë tkurrje në popullsi, ndoshta më pak se 1.5 milionë

Avni Kastrati - ASK

Ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, (ASK), Avni Kastrati, ka thënë se nëse qytetarët japin përgjigje false në regjistrimin e popullsisë, atëherë mund të dënohen deri me 2000 euro. 

Ai ka thënë se nëse deklarohet adresa jo e saktë e banimit, është e kundërligjshme dhe rezulton me gjobë. 

“Mosdhënia e përgjigjeve të sakta, sanksionohet me ligjin aktual. Nëse ju  nuk e paraqitni adresën e saktë, atëherë dënimi shkon deri me 2000 euro”, ka thënë Kastrati në “Konfront” të KTV-së. Ai ka thënë se qytetarët nëse paraqiten në qytetin ku janë lindur, atëherë dëmtojnë si vendin ku jetojnë ashtu edhe komunën ku regjistrohen. 

Kastrati ndërkohë ka thënë se presin që të ketë tkurrje të popullsisë dhe se shifra totale nga regjistrimi të jetë më pak se 1.5 milionë banorë. 

“Ne e dimë afërsisht sa del popullsia, pasi kemi statistika vit për vit. E dimë afërsisht. Edhe për Prishtinën e dimë. Kosova do të ketë tkurrje, kur ka Kosova kanë edhe të gjitha komunat. Prishtina e ka një stabilitet krahasuar me vitin 2011. Ka rritje të vogël...Popullsia totale mund të jetë ndoshta më pak se 1.5 milionë”, ka thënë Kastrati. 

Kastrati ka thënë se në Prishtinë pritet që të dalin 37 deri 39 për qind e banesave të zbrazëta.


Kastrati: Pritjet janë që deri 39 për qind e banesave në Prishtinë të dalin të zbrazëta

Ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, (ASK), Avni Kastrati, ka thënë se pret që në regjistrimin e popullsisë Prishtina të ketë më pak se 300 mijë banorë. 
Kastrati ka thënë se është joreale të thuhet se në Kosovë janë 2 milionë banorë, pasi nuk ka asnjë indikator që thotë për këtë. Ai ka thënë edhe se nuk është reale të thuhet se në Prishtinë janë 500 mijë apo 400 mijë banorë. 

“Nëse shkoni nga Veterniku e shihni se ka ndërtim ekstrem të madh. Është shumë mirë kjo. 70 për qind janë banesa të reja. Pritjet janë 37 deri 39 për qind të banesave të rezultojnë të zbrazëta. Për Prishtinën është e vlefshme, më 2011 i dhamë të dhëna shumë të vlefshme. U tha se kaq është popullsia, por edhe se 72 mijë persona gjatë javës qëndrojnë në Prishtinë, kryesisht studentë”, ka thënë Kastrati në “Konfront” të KTV-së. 


Zogaj: Nga regjistrimi i 2011-s Prishtina humb qindra miliona euro

Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, ka thënë se buxheti për komunat ndahet ende me regjistrimin e vitit 2011. Sipas tij, kjo është e gabueshme, pasi qyteti humb miliona euro.

Ai ka ftuar qytetarët që ata që jetojnë në Prishtinë, të regjistrohen si të tillë.

“Sot e kemi buxhetin 150 milionë euro për 200 mijë banorë, sa i kemi sipas censusit të vitit 2011. Po të ishte 400 mijë, sa besojmë që janë në të vërtetë, do t'i kishim 300 milionë euro buxhet. Jemi të bindur se jetojnë mbi 300 mijë banorë, e gjatë verës edhe 500 mijë”, ka thënë Zogaj.


Sopi: Serbia deshi ta kolonizojë Kosovën, manipuloi edhe me statistika

Panelisti i emisionit “Konfront” në KTV, Agim Sopi, ka thënë se Serbia ka pasur tentime ta kolonizonte Kosovën e dikur ka manipuluar edhe me statistika të popullsisë.

Sipas tij, përpjekje e Serbisë para lufte ka qenë që shqiptarët të tkurren maksimalisht në numër e ka pasur përpjekje që të shpërndahen serbët në territore.

“Prej 81-shit e këndej ka qenë ajo politika për kthimin e serbëve dhe të shpërngulurve me dhunë në Kosovë, platformë kjo e komitetit qendror të asaj kohe që kinse, ka propaganduar një përndjekje etnike të serbëve nga ana e shqiptarëve dhe nga ana e saj është përpjekur të rikolonizohet Kosova, por me fillimin e luftërave të Jugosllavisë, ajo ka ndodhur realisht. Sipas parametrave, atë kohë ishin 80 mijë serbë në Kosovë”, ka thënë Sopi të enjten. 

Ai ka thënë se Serbia vazhdon të propagandojë se 7 deri 8 për qind e popullsisë së Serbisë është në Kosovë, ndërsa së fundmi kanë përdorur edhe shifra tjera se tash në Kosovë janë vetëm 2.4 për qind. Sopi ka thënë se Serbia mund të ketë shifër të saktë për shkak të dirigjimit të familjeve serbe në Kosovë.


Gollopeni: Prishtina po dëmtohet, njerëzit e ruajnë adresën lokale si diçka të shenjtë

Profesori Besim Gollopeni, ka thënë se Prishtina po dëmtohet pasi shumë qytetarë po regjistrohen në adresat e tyre të para në regjistrimin e popullësisë, ani pse ka mbi 20 vjet që jetojnë në kryeqytet. 

“Problemi është se kemi qytetarë të qyteteve tjera të Kosovës që jetojnë në Prishtinë tash e 20 vjet, të Deçanit, Pejës, Suharekës, Prizrenit, Gjilanit, etj. Ata e ruajnë akoma adresën e vendbanimit të parë, identitetin lokal, si diçka që është e shenjtë. Por, se kuptojnë se përderisa pjesën më të madhe të kohës e kalojnë në Prishtinë, cila është arsyeja që me u regjistru te vendet prej nga kanë ardhur. Nëse duam shërbime më të mira, shkolla, shëndetësi më të mirë, buxhet më të madh për komunën ku jetojmë, atëherë nuk e kuptoj se nuk regjistrohen te vendi ku jetojnë”, ka thënë demografi Gollopeni në “Konfront” të KTV-së. 

Ai ka thënë se ka mekanizma që mund t’i detyrojë qytetarët të regjistrohen në vendin ku jetojnë. Përmendi edhe rastin që qytetarët “u detyruan të regjistroheshin në Prishtinë pasi nuk po mund t’i regjistronin veturat në kryeqendër”. 


Zogaj: Prishtina do të duhej të kishte dyfish më tepër banorë se në regjistrimin e 2011-s

Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, ka thënë se në regjistrimin e sivjetëm të popullsisë Prishtina do të duhej të ketë dyfish më tepër banorë se që kishte pasur në regjistrimin e popullsisë së vitit 2011. Në regjistrimin e popullsisë së vitit 2011, në Prishtinë kishin dalë më pak se 200 mijë banorë. 

Zogaj ka thënë se shumë qytetarë ndonëse jetojnë në Prishtinë shumicën e kohës po vazhdojnë të regjistrohet në vendet e tyre të lindjes apo rritjes. 

“Sipas disa vlerësimeve edhe të institucioneve kredibile ndërkombëtare, Prishtina në situatë normale do të duhej të kishte dyfishin e numrave të dalë në vitin 2011. Edhe ne si kryeqytet presim që normalisht regjistrimi të nxjerrë numër më të madh të banorëve sesa në vitin 2011. E këtë pritje e ka edhe ASK...E vërejmë se ekziston një tendencë që shumë qytetarë që jetojnë në Prishtinë regjistrohen në vendet e tyre të lindjes e të rritjes. Tash vonë kisha kontakte me disa familje, i pyeta se a janë regjistruar në Prishtinë, më thanë jo regjistrohemi në vendet tona, sepse në Prishtinë janë me qira. Jetojnë në Prishtinë gjatë gjithë javës, e kalojnë vikendet në vendet e tyre të lindjes e rritjes, por regjistrohen atje pavarësisht se kohën më të madhe e kalojnë në Prishtinë e i marrin shërbimet në kryeqytet”, tha Zogaj në “Konfront” të KTV-së. 

Zogaj ka thënë se edhe në vitin 2011 ishte vepruar ngjashëm.