Arbëri

Zogaj: Ka shumë mangësi në luftimin e korrupsionit, por të paktën s’kemi lëndë që po parashkruhen

Albert Zogaj

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, ka deklaruar ky institucion ka shënuar progres në trajtimin e lëndëve të korrupsionit, duke theksuar se “ka raste që kanë marrë kohë dhe kanë ndikuar në vlerësimet publike për gjyqësorin”.

Ai ka deklaruar të hënën në “60 Minuta” të KTV-së se KGJK-ja ka komunikim me institucionin e Bashkimit Evropian që merret me drejtësinë penale, e në këtë kuptim, sipas Zogajt, është shënuar dinamikë e re në trajtimin e lëndëve.

“Ka shumë mangësi, pavarësisht se ka progres... kemi komunikimin me Bashkimin Evropian me komisionin që shikon drejtësinë penale edhe në kuptimin cilësor edhe çështjen e dinamikave dhe çështje të tjera. Kemi edhe monitorime e rezultatet janë, që KGJK-ja gjatë vitit 2023-2024 kishte plan shtimin e gjyqtarëve në departamentin special dhe ne shtuam. Në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe në atë të Apelit. Ideja është pas ndryshimeve të kodit të procedurës penale, presim fluks të rasteve në Departamentin Special dhe tani do të duhej kapacitete për të përballuar punën. Nuk ka lëndë të parashkruara, e që s’ka dinamikë në ecje”, ka deklaruar kryesuesi i KGJK.

Duke folur për çështjen e konfiskimeve të pasurisë, ai u shpreh se në këtë proces duhet të keëtë më tepër progres, por shtoi se kujdesi duhet të jetë më i madh.

Sipas tij, konfiskimet dhe sekuestrimet e pasurisë duhet të trajtohen pa nguti pasi “pastaj mund të kemi dështim të procesit”.

“Masa e konfiskimeve dhe e sekuestrimeve duhet të jetë shumëfish më zhvillimore sesa që është sot, por edhe kjo temë po adresohet sot e nuk hiqet nga tryeza sepse disa tema janë që gjenerohen në mënyrë të natyrshme nga sistemi gjyqësor. Do të merremi seriozisht me nivelin e konfiskimeve, por duhet kujdes i lartë e s’është e pranueshme të kemi konfiskime të ngutshme e pastaj dështim të procesit”, është shprehur Zogaj.

Kryesuesi i KGJK-së ka theksuar se në Kosovë ka rënie të besimit të qytetarëve ndaj gjyqësorit, e sipas tij, Qeveria duhet të ndryshojë narrativen në këtë fushë.

“Gjyqësori duhet të mbështetet, Qeveria ka politika bashkë me Kuvendin për zhvillimin në sektorin e drejtësisë, përfshirë edhe gjyqësorin. Por, me impaktin kushtetues që ka gjyqësori brenda politikave, me rolin që gjyqësori ka brenda politikave dhe me garanci që ofron Kushtetuta për sistemin gjyqësor, jo pse ne e kërkojmë por është çështje me rëndësi nacionale, të ndërrojë ky diskurs për gjyqësorin, jo vetëm nga Qeveria por edhe nga agjencitë”, ka shtuar Zogaj.