Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, ka shprehur pakënaqësitë e tij për mungesën e bashkëpunimit me nivelin qendror, teksa për jetësimin e projekteve kapitale e mendojnë financimin edhe përmes partneritetit publiko-privat. Në një intervistë për Ekonomia Online, Zogaj ka thënë se Qeveria i ka bllokuar shumë projekte kapitale. Përmend bllokimet e projektit të rrugës “Agim Ramadani” dhe ndërtimin e “Unazës së Jashtme”.
Zogaj ka thënë se përpos mjeteve që i takojnë me ligj, Prishtina nuk ka marrë asnjë cent shtesë nga niveli qendror.
“Mundem të them me liri të plotë dhe siguri që kemi pasur një bashkëpunim shumë të mangët me nivelin qendror qeveritarë...Është e pakuptimtë se si mungon një bashkëpunim mes nivelit qendror dhe kryeqytetit. Prishtina është kryeqytet, krejt institucionet qendrore punojnë në Prishtinë, këtu e zhvillojnë jetën ditore dhe aktivitet e tyre dhe nëse e shihni qasjen e nivelit qendror ndaj Prishtinës është e pabesueshme. Asnjë cent nuk iu është ndarë Prishtinës shtesë pos asaj çka i takon me ligj, atë që na takon me ligj nuk mundet me na mohuar askush edhe normalisht që e alokojnë për neve, por asnjë cent shtesë nuk iu është dhënë Prishtinës”, ka thënë Zogaj. “Në vend se me na ndihmuar dhe me na mbështet ne po shohim në vazhdimësi bllokada edhe barriera në procese të cilat i pengojnë projektet e kryeqytetit”.
Ai ka përmendur projektet që “kanë mbetur fajin e Qeverisë së Albin Kurtit”. Ai ka thënë se për t’i jetësuar këto projekte kanë alternativa tjera. Përmend financimin përmes partneritetit publiko-privat.
“Rastin e fundit e kemi me nënkalimin ‘Agim Ramadani’, ne e kemi proceduar në tenderim kurse niveli qendror e bllokon me letra përmes gjykatave. që mos me filluar një projekt i cili është një prej projekteve më të mëdha të Prishtinës. E kemi planin B i cili është i orientuar në sektorin privat, ne dëshirojmë të hymë në partneritet publiko-privat për me ndërtuar ‘Unazën e Jashtme’ që nënkupton që ne i japim sektorit privat asete të Prishtinës që ata me i zhvilluar. Një prej ideve ka qenë Stacioni i autobusëve, pastaj sektori privat na ndërton neve ‘Unazën e Jashtme’. Edhe te rasti i ‘Unazës së Jashtme’ është e tmerrshme qasja e Qeverisë ndaj këtij projekti. ‘Unaza e Jashtme’ nuk është vetëm projekt i Prishtinës por është projekt i krejt Kosovës, sepse i lidh qytetet e Kosovës me kryeqytetin dhe i jep një qasje shumë më të lehtë, e zhbllokon komunikacionin e liron Prishtinën në tërësi”, ka thënë Zogaj.
Kur kanë mbetur edhe një vit deri në përfundim të mandatit, nënkryetari i Prishtinës është shprehur optimist se do t’i realizojnë të gjitha premtimet. Disa ka thënë se janë në proces të nisjes së punimeve, e disa veçse kanë filluar.