Arbëri

Zllatari pa rrugë e ujë, Komuna dhe ujësjellësi fajësojnë njëri-tjetrin

Çdoherë pas reshjeve dikush nga banorët mundohet t’i sanojë gropat me zhavorr.

Rruga, e cila është shtruar vetëm një herë pas luftës, është dëmtuar shumë dhe po paraqet problem të madh për banorët e fshatit Zllatar të Prishtinës.

Asfaltimi, që është bërë menjëherë pas vitit 2000, sipas banorëve, është shtruar me vetiniciativë të tyre dhe me ndihmën e mërgimtarëve, por asnjëherë nga Komuna e Prishtinës.

Kjo e fundit e ka dëmtuar edhe më shumë rrugën e fshatit me futjen e gypave të ujësjellësit gjatë vitit të kaluar, duke mos e kthyer atë në gjendjen e mëparshme.

Përveç prishjes së rrugës, banorët nuk përfituan asgjë nga futja e atyre gypave.

Sahit Shillova, banor i Zllatarit i cili ka edhe një biznes të vetin në këtë pjesë, thotë se ata ende nuk kanë ujë të pijshëm nëpër shtëpitë e tyre.

“Vetëm gypin e kanë instaluar dhe ujë të pijshëm nuk kemi, rrugën e kanë bërë tmerr, boll tmerr ka qenë e tash e kanë hallakat e kanë bërë më keq. Shkaku i klientëve dhe shkaku i banorëve neve na duhet ta sanojmë. Diku rreth 15 herë e kemi sanuar, do të thotë çdoherë që ka reshje ndodh e njëjta, ne duhet ta mbyllim vetë. Prej vitit 2001 ne me participim tonin dhe të diasporës kemi arritur ta shtrojmë. Duhet të bëhemi lypës nga këto kompanitë që po punojnë dhe të blejmë 100 euro një kamion për t’i mbuluar gropat”, thotë Shillova.

“Problemin më të madh e kemi qe 1 vit e gjysmë. Këtë rrugë e kemi ndrequr vetë, janë dhënë 333 mijë marka. Në mënyrë vullnetare, kush ka pasur mundësi ka ndihmuar. Hiç më larg se javën e kaluar është dashur t’i fus në veturën time 1200 euro investim në të për shkak të kësaj rruge”, thotë banori tjetër i Zllatarit, Sylë Imeri.

VOX: ISMET HAZIRI, Përfaqësues i fshatit Zllatar

“Unë si përfaqësues i fshatit kemi tentuar që të bashkërendohet aktiviteti i ujësjellësit së bashku me ndërtimin e rrugës dhe kjo situatë e ka bërë gjendjen më të rënduar, sepse edhe nuk kemi rrugë e as ujë. Krejt çka është bërë është dëmtimi i rrugës”, u shpreh përfaqësuesi i fshatit Zllatar, Ismet Haziri.

Por, Komuna e Prishtinës thotë se kyçja e këtyre shtëpive në ujin e pijshëm është kompetencë e ujësjellësit. Ndërsa sa i përket asfaltimit të rrugës thonë se tashmë është dërguar në prokurim.

“Gjatë vitit të kaluar, Komuna e Prishtinës ka bërë furnizimin e Zllatarit me gypa dhe kur lëshohet uji është çështje e ujësjellësit. Ndërsa, sa i përket rrugës, i kemi ndarë mbi 1 milion euro për rregullimin me të gjitha detajet përcjellëse. Ditë më parë e kemi dërguar në prokurim, me përfundimin e saj do të vazhdojmë me procedurat e asfaltimit”, thuhet në përgjigjen e Komunës”, thuhet nga Komuna.

Por, Ujësjellësi Rajonal “Prishtina” ia lë fajin Komunës së Prishtinës për moskyçjen e banorëve në rrjetin e ujësjellësit, duke thënë se nuk kanë marrë asnjë shkresë zyrtare nga Komuna.

“Dy linja të cilat kanë funksionuar deri më tani dhe janë linja tona, sistemi i rrjetit, pra ato janë funksionale. Ndërsa, sa i përket rrjetit ende nuk është e qartë se çfarë ka ndodhur. Ne e kemi marrë vesh se është vendosur një gyp, por nuk e dimë se çfarë gypi është ai, nuk i dimë dimensionet, nuk i kemi bërë testime të gypit, kështu që ne presim një shkresë zyrtare nga Komuna e Prishtinës, në mënyrë që të dalim në terren e t’i marrim informacionet se çfarë gypi është vendosur aty, sepse ai projekt i Komunës është dashur të shkojë deri në fund që të realizohen edhe kyçet shtëpiake deri në fund dhe të mos e lëmë në gjysmë, pasi qytetarët edhe sot nuk kanë ujë”, tha Arieta Mjeku, zëdhënëse e KRU Prishtinës.

Përderisa këto të dyja nuk bien dakord për furnizimin me ujë, banorët e Zllatarit furnizohen me ujë me rënie të lirë, që, sipas tyre, nuk është i pijshëm.