Arbëri

Zllatari me deponi ilegale mbeturinash

Helmeta pune, goma, thasë çimentoje e materiale të ndryshme ndërtimi kanë zënë vend në fshatin Zllatar të Prishtinës.

Halil Shillova, banor i këtij fshati, thotë se 3 muaj më parë kjo pjesë ka qenë e mbushur me gjelbërim.

Si person që pëlqen aktivitetet fizike dhe daljet në natyrë ai thotë se e ka shfrytëzuar këtë pjesë për shkak të ajrit të pastër dhe pozitës gjeografike të saj.

Dalja për te liqeni i Badovcit, që shtrihet vetëm pak metra tutje, ai thotë se është bërë shkaku kryesor që kjo pjesë të vizitohet edhe nga shumë banorë të tjerë.

‘’Në këtë pjesë këtu prej që kom ardhë në Kosovë e kom shfrytëzu. Kam vrapuar çdo mbrëmje, e kam linjën nga liqeni i fshatit atje në këtë pjesën këtu e deri kah liqeni i Badovcit dhe kthehem mbrapa. Deri para tre muajsh e kam shfrytëzuar një lokacion tjetër për disa arsye personale në familje edhe gjatë kësaj kohe nuk kam qenë këtu e kur jam kthy nuk e kam njoftë më këtë vend”, u shpreh Shillova.

Sipas Shillovës, kujdesin për ambiente të tilla duhet ta bëjnë edhe vetë qytetarët duke kërkuar intervenim të institucioneve për gjendjen aktuale.

‘’Unë faktikisht jom shumë i lidhur emocionalisht me këtë pjesë. Unë këtu kom lindë e jam rritë, krejt kjo natyrë është pjesë e fëmijërisë time, pjesë e imja. Në momentin kur e kom pa që kjo pjesë prej një pjese të bukur është shndërruar në deponi bërlloku, varrezë mbeturinash, jam dëshpëruar shumë’’, tha tutje ai.

Nga Drejtoria për Shërbime Publike përmes një përgjigjeje me shkrim i kanë thënë KTV-së se zona është duke u pastruar prej mbeturinave .

‘’Ne do të intervenojmë, jemi duke pastruar dhe në bazë të mundësive në lokacione të ndryshme po vendosim bllokada përmes dheut që të pamundësohet qasja për hedhje të mbeturinave. Po ashtu do të fillojmë edhe me vendosjen e disa rrethojave së shpejti’’, tha Medina Braha nga Drejtoria për Shërbime Publike.

Gjatë ditës kamionë të shumtë hedhin mbetje të materialit ndërtimor në mënyrë ilegale.

Adonis Tahiri, drejtor i Inspektoratit, thotë se vazhdimisht jepen gjoba .

‘’Çdo ditë jemi në atë pjesë me inspektorët tanë dhe ne kemi shpërndarë qindra gjoba në vlera maksimale mirëpo po vazhdojnë të hedhin dhe e mbetje të tjera. Përveç shpërndarjes së gjobave inspektorët kanë marrë edhe masa të tjera parandaluese duke e bllokuar hyrjen brenda kësaj hapësire në mënyrë qe të mos kalojnë kamionët më në atë pjesë’’ u shpreh Tahiri.

Edhe përkundër së u është bllokuar hyrja nga fshati Zllatar, këta kamionë shfrytëzojnë rrugët alternative përmes lagjes së Spitalit dhe Hajvalisë për të shkarkuar mbeturinat.

‘’Ne do të organizojmë aksione edhe më të gjera me Policinë e Kosovës sepse aty me të vërtetë është bërë një deponi me mbeturina inerte të cilat ne me ekipet tona maksimalisht mundohemi që ta ndalojmë hudhjen e tyre’’, tha Tahiri tutje.

Komuna e Prishtinës gjatë vitit të kaluar kishte 145 deponi ilegale derisa këtë vit numri i tyre ka rënë në 20, ku vetëm gjatë muajit qershor të këtij viti u larguan 33 të tilla.