Zyra Kombëtare e Auditimit po e shqyrton mundësinë që t’i drejtohet Prokurorisë, pasi evidentoi mashtrime që ndërlidhen me cilësinë e betonit të kontraktuar për ndërtimin e segmentit hekurudhor Fushë-Kosovë – Mitrovicë. Në raportin mbi hekurudhën Han i Elezit-Leshak, ZKA-ja konstatoi po ashtu se pati mbikëqyrje të mangët të punimeve, por edhe punime me material të paaprovuar
Mashtrim me cilësinë e betonit të kontraktuar për ndërtimin e segmentit hekurudhor Fushë-Kosovë – Mitrovicë ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin mbi projektin e hekurudhës Han i Elezit-Leshak.
Në raport thuhet se me kërkesë të INFRAKOS-it që e udhëheq projektin, kompania italiane “Generale Costruzioni Ferroviarie” shkëputi kontratën me një nënkontraktor, shkaku i betonit të kontraktuar.
Lidhur me këtë, në ZKA thanë se po shqyrtohen informatat me qëllim që rasti t’i adresohet prokurorisë.
“Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) përmes Departamentit për Çështje Juridike dhe Kundër Mashtrimeve analizon raportet e auditimit dhe informatat që vijnë nga puna audituese, identifikon rastet që përmbajnë elemente të mundshme të mashtrimit apo korrupsionit dhe duke respektuar procedurat e përcaktuara i dërgon te Prokurori i Shtetit për analizë dhe hetime të mëtutjeshme. Edhe Raporti i auditimit ‘Efikasiteti në realizimin e projektit Rehabilitimi i Linjës 10 Hekurudhore Hani i Elezit – Leshak’, i cili është publikuar më datë 18.03.2025, aktualisht është në proces të analizës nga Departamenti për Çështje Juridike dhe Kundër Mashtrimeve, dhe varësisht prej rezultateve do të dërgohet ose jo në Prokurori”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Faza 2 e projektit për rehabilitimin e pjesës jugore të hekurudhës Fushë-Kosovë –Mitrovicë kap vlerën e 47.9 milionë eurosh.
Në raportin e ZKA-së thuhet se pas zbulimit që nënkontraktori ka mashtruar me llojin e betonit të përdorur, INFRAKOS-i i është drejtuar një laboratori për testimin e cilësisë së tij dhe se ia ka revokuar përgjithmonë lejen për punë në projekt.
“Përveç kësaj, organi mbikëqyrës përmendi edhe incidente të tjera me materiale të paaprovuara që kishte gjetur në terren gjatë inspektimeve të mëparshme, rrjedhimisht kërkoi të merren veprime që konsiderohen të nevojshme. Në mars 2024, kontraktori kryesor i kishte informuar ata se kishte ndërprerë menjëherë kontratën me nënkontraktorin, duke marrë parasysh seriozitetin e akuzave të organit mbikëqyrës”, thuhet në raport.
E për masat e ndërmarra ndaj kompanisë punëkryese GCF, në INFRAKOS nuk dhanë sqarime.
Mbi gjetjet e auditorit, në dijeni është Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim, që bashkë me Bankën Evropiane për Investime, e financon dhe e mbështet projektin edhe me ekspertiza.
“Ne jemi në dijeni të gjetjeve nga Raporti i Auditimit që u publikua së fundmi, në mars 2025. Për të mbështetur implementimin e projektit, BERZH siguron Asistencë Teknike për Njësinë Implementuese të Projektit në formën e një konsulenti për implementimin e projektit. Gjithashtu, si praktikë standarde, struktura e projektit përfshin një Inxhinier Mbikëqyrës nga FIDIC (Federata Ndërkombëtare e Inxhinierëve Konsulentë), i angazhuar për të mbikëqyrur punimet dhe për të certifikuar përfundimin e tyre në përputhje me projektin e detajuar (specifikimet teknike). BERZH-i financon vetëm punimet që janë certifikuar nga ky inxhinier”, thuhet në përgjigjen e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Përfaqësues të kompanisë nënkontraktuale “Rukolli” pranuan se u është shkëputur kontrata shkaku i betonit dhe thanë se pas analizimit të tij, besojnë që rezultati do të dalë në favor të tyre. E në Infrakos theksuan se do të jenë të përkushtuar në zbatimin e kontratës me kompaninë GCF dhe se nuk kanë të bëjnë me nënkontraktorët.
ZKA-ja gjeti mangësi edhe në monitorimin dhe në masat e vonshme të ndërmarra nga Njësia për Politika e Monitorim të Ndërmarrjeve Publike të Ministrisë së Ekonomisë, në emërimin e Komitetit Drejtues që udhëhiqet nga Ministria e Infrastrukturës teksa ka konstatuar që mosmbikëqyrja e duhur i ka zvarritur punimet dhe e ka rritur koston.
Në pyetjet e KOHËS lidhur me gjetjet e ZKA-së përgjigje nuk dhanë as në kompaninë GCF dhe as në Ministrinë e Ekonomisë dhe atë të Infrastrukturës.
ZKA-ja gjeti po ashtu se largimi i komponentëve të sinjalizimit ka ndikuar që i gjithë projekti të kushtojë rreth 55 milionë euro më shumë.
E në BERZH kanë thënë për KOHËN se financimi për këtë pjesë mund të bëhet vetëm pasi të ratifikohet marrëveshja e re për financim nga Kuvendi i Kosovës.