Arbëri

ZKA: Komuna e Prishtinës ndau subvencione për OJQ-të pa thirrje publike

Në pesë raste, Komuna e Prishtinës e përsëriti edhe më 2023 shkeljen që Zyra Kombëtare e Auditimit e pati evidentuar në raportin e 2022-s. ZKA-ja gjeti se kjo instancë ka subvencionuar organizata joqeveritare, pa hapur thirrje publike. Për këtë, Komuna u kritikua nga opozita, e në këtë institucion nuk e komentuan raportin

Sikurse në vitin 2022, edhe vjet Zyra Kombëtare e Auditimit evidentoi se Komuna e Prishtinës ka ndarë subvencione për organizata joqeveritare pa thirrje publike.

Në raportin e Auditorit për vitin e shkuar është theksuar se Komuna e Prishtinës në këtë mënyrë ka ndarë afro 261 mijë euro subvencione.

Sipas raportit, gjatë inspektimeve të auditorit të jashtëm është konstatuar se kjo ka ndodhur shkaku i mosfunksionimit të kontrolleve të brendshme dhe i mungesës së përgjegjësisë.

“Në pesë (5) raste, në vlerë 260.838 euro, Komuna kishte ndarë subvencione ndaj OJQ-ve duke mos e aplikuar thirrjen publike, por vetëm me vendim të Kuvendit Komunal. Këto subvencione kishin të bëjnë me fushën e sportit, sikurse përkrahjen e pjesëmarrjes në gara sportive, si dhe me projekte të tjera që ndërlidhen me aktivitetet në shkolla dhe me nxënësit”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

E në tri raste, në raport thuhet se marrëveshjet me OJQ-të janë lidhur pas pagesës së mjeteve dhe se është përjashtuar kriteri i konkurrencës dhe i transparencës publike.

“Subvencionimi i OJQ-ve vetëm me vendim të Kuvendit Komunal, pa bërë thirrje publike, i përjashton konkurrencën, transparencën si dhe ndikon në trajtimin jo të barabartë të OJQ-ve. Përderisa, mosaplikimi me kohë i marrëveshjeve mes përfituesit dhe komunës ndikon që përfituesit të mos jenë të përgjegjshëm në përmbushjen e detyrimeve që përcaktohen në marrëveshje”, thuhet tutje në raport.

Kritika ndaj Komunës lidhur me gjetjet e auditorit ka shprehur shefi i asamblistëve të PDK-së në Prishtinë, Leutrim Retkoceri.

Ai u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që t’i hetojnë gjetjet e Auditorit.

“Ne qysh në vitin e kaluar, kritikat kryesore dhe mospajtimet i kemi pasur sa u përket pikave të rendit të ditës që ndërtoheshin nga Përparim Rama për t’u sjellë në Kuvend dhe ishin pa transparencë e llogaridhënie. Siç e kërkon edhe ligji, një e gjetur që nuk vazhdon të përmirësohet dhe ka pasur zotim se do të përmirësohet, atëherë institucionet duhet ta kryejnë punën e tyre, që kjo çështje të mos përsëritet”, ka thënë Ratkoceri.

Në Komunë nuk iu përgjigjën pyetjeve të KOHËS rreth gjetjeve të ZKA-s.

E kryetari, Përparim Rama, nëpërmjet një letre adresuar Auditorit i ka pranuar parregullsitë e evidentuara.

Subvencionimi i OJQ-ve pa thirrje publike ka qenë pjesë e gjetjeve të ZKA-së për pasqyrat financiare vjetore të Komunës, edhe më 2022.

Ani se edhe atëherë u pati pajtuar me rekomandimet e raportit, Komuna e vazhdoi avazin e njëjtë edhe më 2023.

Më 2022, kryetari Rama pati ndarë 80 mijë euro për OJQ-në “The Library Project Kosova”, për të cilën punon bashkëshortja e tij.