Arbëri

ZKA-ja dërgoi 77 raste në Prokurori, Spanca: Ndërmarrjet Publike ishin nën llupën e Auditorit

90 organizata buxhetore e 12 ndërmarrje publike janë audituar nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në vitin 2022.

Mangësitë kryesore që janë identifikuar, janë kryesisht në fushën e prokurimit publik dhe në mallra e shërbime, ndërsa 77 raste janë dërguar në Prokurori, raporton Ekonomia Online.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka bërë të ditur se ZKA-ja, për sezonin e auditimit 2022-2023, kanë përfunduar 134 auditime të institucioneve publike. Në një intervistë për Ekonomia Online, Spanca ka thënë se 113 prej tyre janë auditime të pasqyrave financiare. Ajo ka thënë se në aspektin e auditimit, ndërmarrjet publike kanë gjendje pak më të rënduar.

“Zyra kombëtare e auditimit e ka përmbyllur sezonin auditues 2021-2022. Mund të them me plotë vetëbesim se e kemi përmbyllur me suksese si në aspektin cilësor ashtu edhe në aspektin kohor. Në tetor të vitit të kaluar ne kemi dërguan planin vjetor të auditimit te Kuvendi i Republikës së Kosovës, përkatësisht te Komisioni për mbikëqyrje të financave publike, ku kemi paraparë kryerjen e 134 auditimeve. Dhe deri më 30 gusht të këtij viti ne kemi përmbyllur 130 auditime dhe tash së fundi kemi publikuar edhe raportin e auditimit të fundit që ka qenë performanca operative dhe financiare e Trepçës. Sezoni audituese është mbyllur, do të thotë kemi audituar afro 90 organizata buxhetore kryesisht ka qenë auditimit financiar, auditimi i pasqyrave financiare për vitin 2021”, u shpreh Spanca. “Kemi pasur 12 ndërmarrje publike auditim financiar. Auditimin e projekteve të Bankës Botërore dhe 14 auditime të performancës. Një situatë më e rënduar është tek ndërmarrjet publike ku të gjitha 12 ndërmarrjet publike kemi modifikuar opinione e auditimit, dy prej tyre kanë pasur opinion të kualifikuar që do të thotë se gabimet financiare kanë qenë do të thotë materiale mirëpo nuk kanë qenë të përhapura përderisa për 10 ndërmarrje publike opinionet kanë qenë të kundërta”.

Ajo gjithashtu ka bërë të ditur se për herë të parë kanë kryer auditim në KEK, RTK e KOST. Tha se këto me vite të tëra nuk janë audituar.

“Këtë vit për dallim prej viteve të tjera kemi vendosur në planin tonë audituese, kemi kryer auditime të cilat kanë qenë me interes si për qytetarët ashtu edhe për Kuvendin e Kosovës, auditime të cilat ndoshta nuk janë kryer vite me radhë siç ishte auditimi i Radio Televizionit Kosovës, auditimi të performancës e po ashtu kemi kryer edhe auditimin financiar, pastaj ka qenë auditimi i fushës së prokurimit publik në Korporatën Energjetike të Kosovës në KOST. Ka qenë një projekt kapital i madh që është kryer nga komuna e Ferizajt, bashkimi i qytetit, po ashtu kemi pasur edhe auditim në fushën e teknologjisë së informacionit të cilat janë mirëpritur nga qytetarët e po ashtu edhe nga Kuvendi”, tha Spanca.

Dhënia e tenderit e përzgjedhja e operatorit ekonomik pa i plotësuar kriteret, janë disa nga mangësitë që janë identifikuar në fushën e prokurimit publik.

Gjatë këtij viti, Spanca ka thënë se i kanë dërguar në Prokurori 77 raste me elemente të mashtrimit apo korrupsionit. Thotë se komunikimi me këtë institucion të drejtësisë është në baza ditore.

“Ashtu është, për ta lehtësuar edhe organeve të drejtësisë do të thotë marrjen e vendimeve si dhe kryerjen e punëve përgjegjësive të cilët ata i kanë ne kemi themeluar një njësi kundër mashtrimit në zyrën kombëtare të auditimit i cili në mënyrë sistematike bënë vlerësimin e gjitha raporteve bënë vlerësimin e gjitha raporteve të auditimit të cilat publikohen dhe pastaj identifikon raste të cilat kanë elemente potenciale për mashtrim apo për korrupsion. Ne sezonin në të cilën ne e kemi përmbyllur, kjo njësi ka identifikuar 77 raste dhe ato ne i kemi dërguar tek organet e drejtësisë”, u shpreh Spanca./EO