Mangësi në hetime, probleme me rehabilitim e viktimave, gjykimet e zgjatura dhe dënimet e buta në rastet e dhunës në familje janë disa nga problemet që i ka identifikuar raporti i performancës i Zyrës Kombëtare të Audimit. Në prezantimin e raportit, zyrtarë të institucioneve përgjegjëse e bënë zotimin për avancimin e hetimeve dhe të gjykimeve për veprat penale të kësaj natyre
Shkelje dhe shmangie të procedurave të shumta gjatë hetimit e gjykimit të veprave penale që ndërlidhen me rastet e dhunës në familje janë konstatuar në raportin e auditimit të performancës, të përpiluar nga Zyra Kombëtare e Audimit, asistuar nga “UN Women” në Kosovë.
Bazuar në këtë raport, shkelje janë evidentuar në çdo fazë, porse si pikë që kërkon më shumë trajtim është specifikuar ajo e procesit të rehabilitimit të viktimave.
Auditorja e përgjithshme, Vlora Mehmeti-Spanca, gjatë prezantimit të raportit me titull “Efektiviteti i institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje”, i numëroi mangësitë kryesore të evidentuara gjatë hetimit.
“Sistemi shtetëror ka mangësi në angazhimin e hetuesve primarë, përfshirje të mbrojtësve të viktimave, shpesh mbrojtësit e viktimave angazhohen në hallkën e fundit, atëherë kur rasti shkon në seancë gjyqësore, pastaj shqyrtimi i rasteve me kohë, përkatësisht nga gjyqësori”, theksoi ajo.
E pranishme në prezantimin e gjetjeve, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, foli gjatë për çështjet që tha se janë adresuar në kohën e saj, por edhe i pranoi problemet në trajtimin e këtyre rasteve.
“Ende kemi shumë sfida. Unë jam e vetëdijshme për këtë. Kërkoj bashkëpunimin institucional, sidomos me Policinë e Kosovës. Për momentin kemi bashkëpunimin e mirë, i përgëzoj për këtë, por problemin e kemi te dënimet e vogla në raport me dhunuesit”, deklaroi Haxhiu.
E avokati i popullit, Naim Qelaj, e theksoi rëndësinë e fuqizimit të mekanizmave të llogaridhënies.
“Mundem me thanë me shumë përgjegjësi se mungesa e koordinimit dhe e kapaciteteve nga ana e institucioneve ka bërë që edhe përkundër vullnetit që kanë shpreh që këto rekomandime me mbete në letër, e që munden me u përkthye në dështime të autoriteteve për me e mbrojt jetën e qytetarëve”, deklaroi Qelaj.
Të dhënat kryesore të raportit i shpalosi Ariana Gjonbalaj nga Zyra Kombëtare e Auditimit, teksa Vlora Tuzi-Nushi foli për rëndësinë e bashkëpunimit për evidentimin se si trajtohen këto raste.
Sistemi i drejtësisë është kritikuar në vazhdimësi për mënyrën e trajtimit të rasteve të dhunës në familje. Nga organizatat vendore e ato ndërkombëtare kritikat drejtohen kryesisht për qasjen e butë në hetime dhe për vendime përfundimtare.