Rreth 10 hektarë hamullore e fusha me bari të thatë janë përfshirë nga zjarri mbrëmjen e së enjtes në fshatin Dumosh të Podujevës. Sipas komandantit të Shërbimit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, Milaim Ajvazi, zjarri tashmë është fikur dhe askush nuk është lënduar dhe se nuk ka pasur dëme materiale.
Sipas tij, zjarrfikësve u janë dashur një orë e gjysmë për ta fikur zjarrin.
“Rreth 10 ha hamullore dhe bari i thatë është djegur në fshatin Dumosh. Nuk kemi të lënduar dhe as dëme, pasi e kemi parandaluar eskalimin e zjarrit dhe në 19.35 kemi arritur ta fikim zjarrin”, ka thënë Milaim Ajvazi.
Sipas tij, në muajin e kaluar i kanë pasur 130 intervenime, prej tyre 124 zjarre.
“Një aksident trafiku me fatalitet, 3 intervenime teknike dhe dy kanë qenë intervenime të rrejshme. Vlen të theksohet se fatbardhësisht nuk ka shtëpi të djegura. Janë 4 objekte ndihmësse dhe një stallë që janë djegur. Edhe ky muaj po vazhdon me të njëjtin avaz. Deri sot i kemi 27 intervenime gjatë muajit tetor”, ka thënë Milaim Ajvazi.