Arbëri

Zjarri në derën e Kishës së Shën Pantelisë në Prizren – rast i izoluar

Ka qenë një qytetar i cili e ka njoftuar policinë se të dyshuar të panjohur kanë tentuar ta djegin derën e hyrjes së Kishës së Shën Pantelisë në Prizren

Persona të panjohur deri më tani për organet e rendit, të hënën mbrëma kanë ndezur zjarr në hyrje të Kishës së Shën Pantelisë në Prizren, i cili ka dëmtuar derën e këtij objekti. Zjarri është fikur nga një qytetar i cili e ka paraqitur rastin në Polici. Zyrtarët policorë kanë theksuar se bëhet fjalë për një rast të izoluar, derisa autoritetet e trashëgimisë kulturore kanë apeluar për ruajtjen e këtyre objekteve

Dera e objektit sakral kushtuar Shën Panteleonit në Prizren është dëmtuar nga zjarri. Incidenti, sipas Policisë së Kosovës, ka ndodhur të hënën mbrëma rreth orës 23:00, me ç’rast një qytetar ka vërejtur zjarrin te dera e kishës së vogël dhe ka reaguar për fikjen e tij, duke parandaluar dëme më të mëdha.

Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka thënë se ky qytetar ka njoftuar policinë se të dyshuar të panjohur kanë tentuar ta djegin derën e hyrjes së Kishës së Shën Pantelisë. Sipas tij, patrulla policore ka konfirmuar se në vendin e ngjarjes kundërmon era e benzinës, derisa është gjetur edhe një shishe e plastikës e djegur. Bytyqi ka pohuar se janë mbledhur provat dhe dëshmitë, porse kryerësit ende mbeten të panjohur për organet e rendit.

“Deri më tani nuk ka identitet të kryerësve se kush e ka bërë, por është me rëndësi të ceket se ky incident është një incident i kufizuar, sepse Prizreni njihet si një qytet tolerant, ku ka bashkëjetesë të të gjithë qytetarëve, pa marrë parasysh fenë dhe etninë. Kështu që ky është një incident i izoluar edhe vetë qytetarët kanë marrë masa, dhe nuk është shkaktuar dëm i madh”, ka thënë Bytyqi.

Ai ka theksuar se Policia e Kosovës ofron siguri për objektet e të gjitha komuniteteve, veçanërisht ato të Kishës Ortodokse, ku disa objekte ruhen me prani konstante të zyrtarëve policorë e disa të tjera me patrullime të herëpashershme. Bytyqi ka përkujtuar se edhe për festën e Pashkëve ortodokse ka pasur plan të veçantë operativ për ruajtjen e rendit dhe sigurisë me qëllim që festa të kalojë qetë dhe pa incidente.

Veron Tara nga Këshilli për Trashëgiminë Kulturore i Qendrës Historike të Prizrenit ka theksuar se veprimet e tilla krijojnë imazh negativ si për qytetin ashtu edhe për shoqërinë. Ai ka bërë thirrje që objektet sakrale të ruhen dhe të mos dëmtohen.

“Si Këshill i Trashëgimisë Kulturore gjithmonë rekomandojmë dhe këshillojmë që trashëgimia kulturore të ruhet domosdo pavarësisht se kujt i përket. Një gjest i tillë apo veprimet e tilla janë shumë negative për qytetin tonë, për shtetin dhe për shoqërinë tonë. Gjithmonë duhet ta ruajmë trashëgiminë e Kosovës, pasi që Kosova ka trashëgimi shumë të pasur, edhe këto nëse i dëmtojmë atëherë ne kthehemi shumë vjet prapa edhe dëmtohet vlera jona kulturore”, ka deklaruar Tara.

Aktet e tilla, sipas tij, dëmtojnë përpjekjet për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe njëherësh dënohen me ligj.

“Kjo për arsye se në momentin kur ne duhet të përparojmë për t’i mbrojtur, mirëmbajtur dhe restauruar monumentin, ne duhet të kthehemi prapa dhe duhet nisur prej zeros. Kështu që gjithnjë na dalin disa hapa më shumë sesa ato normale për mirëmbajtjen e trashëgimisë kulturore. Veprimet e tilla duhet t’i ndjekë ligji pasi që edhe me Ligjin për Trashëgimisë Kulturore, edhe me Ligjin për Qendrën Historike, veprimet e tilla sanksionohen”, është shprehur Tara.

Kisha që i kushtohet Shën Panteleonit, që ndryshe njihet edhe si Kisha e Shën Pantelisë ndodhet në pjesën jugperëndimore të qytetit, e cila quhet Lagjja e Pantelisë. Sipas të dhënave të arkivuara në institucionet vendore, kjo kishë, që i takon tipit të kishave të vogla, është rinovuar në vitin 1937, dhe atë mbi themelet e kishës së mëparshme që supozohet se daton nga shekulli XIV. Ajo është rikonstruktuar rishtazi, pasi që ishte dëmtuar edhe në trazirat e vitit 2004.