Në ditën ndërkombëtare të tyre, zjarrfikësit kanë numëruar një sërë problemesh me të cilat ballafaqohen gjatë punës në terren. Ata kanë kërkuar që për lehtësimin e punës të rritet numri i stafit dhe që të definohet statusi i zjarrfikësve
Dhjetëra automjete së bashku me ekipe të zjarrfikësve, qëndrojnë në gjendje gatishmërie gjatë 24 orëve në ditë për t’iu përgjigjur çdo thirrjeje për intervenim në situata të zjarrit, aksidenteve të komunikacionit e fatkeqësive të tjera.
Komandanti i pensionuar i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Latif Zeka, tregon se për të shpëtuar jetën e të tjerëve, gjatë karrierës rreth dyzetëvjeçare, është vënë para rrezikut disa herë.
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Zjarrfikësve, ai ka shprehur kërkesën që të rritet numri i zjarrfikësve dhe që statusi i tyre të zgjidhet.
“Sa i përket situatës me të vërtetë është një situatë jashtëzakonisht e pazgjidhne, duhet me u zgjidh së pari statusi i zjarrfikësve. Veç prej 2013 u kanë që kemi kaluar në Ministrinë e Brendshme, por jemi furnizuar prej Komunës. Pra, rrogat i marrim prej Komunës edhe sot e asaj dite”, ka thënë ai. “Gjoja janë punëtorë të Agjencinës, punëtorë të MPB-së, por ende nuk është zgjidhur statusi. Ai duhet të zgjidhet”.
Zeka ka përmendur edhe probleme të tjera.
“Kur kam qenë unë këtu, jemi kanë 120, tash kanë mbetë 72 a 73. Asnjë zjarrfikës nuk u pranu më mbas andej”, ka thënë ai.
Sipas sindikalistëve të këtij sektori, shërbimi i zjarrfikësve në kryeqytet funksionon me gjysmën e numrit të stafit të paraparë.
Kryetari i Sindikatës, Muharrem Beka, ka thënë se aktualisht mosha mesatare e personelit është 48 vjeç.
“Aktualisht i kemi 75 zjarrfikës që me rregullore pothuajse gjysma i bie që na mungojnë. Pra, sipas rregullores na duhet t’i kemi 146, kështu që përafërsisht gjysma e personelit na mungon. Kërkesa jonë është që sa më parë të hapet konkursi”, ka thënë Beka.
Në Komunën e Prishtinës thanë se janë përfunduar procedurat që stafit t’i shtohen edhe 30 zjarrfikës, por që çështja po pengohet nga niveli qendror.
Drejtori për Siguri dhe Emergjenca, Lulzim Fushtica, ka thënë se që nga viti i shkuar ka bërë kërkesë në Agjencinë për Menaxhimin Emergjent që të rritet numri i zjarrfikësve, porse një gjë e tillë ende nuk është mundësuar.
“Kemi bërë shkresa dhe mbesim të gatshëm se janë vendet e lira, është buxheti i ndarë, në strukturë organizative janë pozitat që janë të lira, por ende kemi hezitim për fat të keq nga Agjencia për Menaxhimin Emergjent që të hapë këtë konkurs”, ka thënë Fushtica.
Për telashet mes nivelit qendror dhe atij lokal foli edhe zëvendësuesi i komandantit të Brigadës së Zjarrfikësve, Malë Gashi.
“Zjarrfikësit duhet ta kenë një tretman të veçantë në shoqërinë tonë sepse fuqizimi, funksionalizimi i shërbimit të zjarrfikësve është në interes të, së pari uniformës, qytetarëve dhe shtetit”, ka thënë ai.
Lidhur me hapjen e konkursit për zjarrfikës, KOHA ka pyetur në Agjencinë për Menaxhimin Emergjent, por nuk mori përgjigje.
Që nga viti 2013, zjarrfikësit, si strukturë organizative, janë vënë nën menaxhimin e Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, teksa paguhen nga komunat.