Në punë gjatë natës së ndërrimit të moteve ishin edhe zjarrfikësit. Së bashku ata festuan në objektin e tyre. Për vitin 2022, shpresojnë se do t’u krijohen kushte më të mira të punës, si riparimi i objektit ku qëndrojnë, por edhe shtimi i kapaciteteve.
Shkaku i natyrës së punës që kanë, Vitin e Ri zjarrfikësit e pritën në shoqërinë e njëri-tjetrit.
Meqenëse larg shtëpive të tyre, ata kishin organizuar një festë të vogël, për të krijuar atmosferë festive.
Behar Shala, zjarrfikës me njëzet vjet përvojë, u shpreh se incidentet në festat e tilla janë pothuajse të pashmangshme.
Shala tregoi se atyre u nevojiten vetëm 60 sekonda për përgatitje, që të nisen në terren në raste të incidenteve.
“Pasi e kemi pranuar detyrën prej orës 19, ne deri më tash i kemi pasur tri intervenime, dy kanë qenë të llojit zjarr, të cilat nuk kanë qenë zjarre të mëdha por quhen zjarr, sepse ka pasur edhe zjarr edhe tym, kanë qenë në ballkonet e banesave. Njëri zjarr ka qenë duke u zhvilluar, por ne ende pa mbërri në vendin e ngjarjes qytetarët e kanë lokalizuar kështu që është anuluar”, ka treguar ai.
Udhëheqësi i ndërrimit të natës thotë se të gjithëve u mungon ambienti familjar në ditët e festave, porse raportet e mira e bëjnë më të lehtë natën e vitit të ri.
“Njëfarë forme, nuk është shumë e vështirë kur jemi në mesin e shokëve, sikurse ne jemi shokë të mirë edhe kalojmë mirë. Në anën tjetër, kur je larg familjes nuk je shumë rehat”, ka thënë Halim Dobratiqi.
Viti 2020, sipas zjarrfikësve, ishte mjaft sfidues.
Ata shpresojnë që në vitin e ardhshëm t’u krijohen kushte më të mira, si riparimi i objektit në të cilin punojnë, por edhe shtimi i kapaciteteve të tyre.