Në 192 raste ka intervenuar Brigada e Zjarrfikësve të Prishtinës, vetëm gjatë muajit të shkuar. Sipas shefit të ndërrimit të kësaj brigade, shumica e zjarreve ishin të qëllimshme. E njohës të çështjeve emergjente shtrojnë nevojën për ndëshkim të personave që qëllimshëm shkaktojnë zjarre, meqë me veprimin e tyre shkaktojnë rrezik të përgjithshëm
Vetëm gjatë muajit korrik të këtij viti, Brigada e Zjarrfikësve të Prishtinës, ka intervenuar në 192 raste, në kryeqytet, në Fushë Kosovë e në Graçanicë.
Shaban Krmemi, shef i ndërrimit në Brigadën e Zjarrfikësve në Prishtinë, thotë se edhe pse gjatë kësaj periudhe numri i zjarreve është i lartë, institucioni përballet me kapacitete të pamjaftueshme njerëzore.
“Ne jemi 24 orë në gjendje gatishmërie, por është një problematikë që kemi një numër të ulët të punëtorëve, pra këta që jemi gjithmonë në gjendje gatishmërie që t’u dalim në ndihmë edhe qytetarëve edha kafshëve”, tha ai.
Krmemi thotë se shumica e zjarreve gjatë kësaj periudhe verore janë shkaktuar qëllimshëm.
“Pavarësisht që ato deklarohen si të rastësishme nga një cigare ose diçka tjetër, por shumica janë të qëllimshme,” tha Krmemi.
E Tahir Ahmeti, njohës i çështjeve emergjente, thotë se personat që qëllimisht shkaktojnë zjarre duhet të ndëshkohen, meqë shkaktojnë rrezik të përgjithshëm.
“Inicimi i qëllimshëm i zjarrit shkakton rrezikim të përgjithshëm..., me Kodet e Republikës së Kosovës është vepër penale dhe si e tillë sanksionohet me burgim, andaj edhe qytetarët duhet të vetëdijesohen dhe të njoftohen se përveç që shkakton dëme të mëdha kryejnë edhe vepër penale”, tha Ahmeti
Brigada e Zjarrfikësve në Prishtinë, brenda periudhës janar-korrik të këtij viti ka intervenuar në 775 raste zjarri.
Ministria e Bujqësisë një javë më parë ka filluar shqyrtimin e mundësive ligjore që pronarëve të tokave të cilët i djegin hamulloret t’ua ndalë subvencionimin për të mbjella. Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti, javën e kaluar mblodhi Këshillin e Sigurisë, pas shqetësimeve për numrin e madh të zjarreve.