Përditshmëri me zhurmën, thonë se kanë banorët e lagjes “Qendra” në Prishtinë.
Derisa shumica e njësive banesore janë të mbushura edhe me lokale afariste, kryesisht kafeteri, banorët thonë se nuk mund të bëjnë as gjumë.
Në fillim të javës protestuan para komunës dhe në mesjavë banorët, policia, përfaqësuesit e kafeterive dhe ata të Komunës së Prishtinës, u takuan për të gjetur zgjidhje.
Rezidentët e qendrës thonë se morën premtim që brenda dy javësh kafeteritë do të investojnë në izolim të zhurmës si dhe ndalje të muzikës pas orës 22:00, raporton “038” i KTV-së.
Përfaqësuesit e kafeterive vazhdojnë të kërkojnë mirëkuptim duke përsëritur që në qendër nuk mund të ketë qetësi si në periferi.
Policia, ndërkohë, zotohet ta respektojë Ligjin për Zhurmën. Policët e stacionit Qendër thonë se kanë rritur dënimet për prishje të rendit dhe qetësisë publike.
Komuna e Prishtinës është zotuar në krijim të një rregulloreje të re për caktim të orarit të bizneseve.
Zhurma në qendër ka bërë që shumë njësi banesore në këtë pjesë të ndërrojnë destinimin . Ato tani janë shndërruar në zyra e lokale, derisa banorët po detyrohen të shpërngulen në pjesë tjera të qytetit.