Arbëri

Zgjedhjet “testuese”

Njëzet e shtatë subjekte politike e 1232 kandidatë kanë nisur, shumë para kohe, garën që në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit të 2025-tës të sigurojnë një nga 120 vendet e Kuvendit.

Zyrtarisht fushata elektorale fillon më 11 janar, por zyrtarë e kandidatë të partive politike e drejtuan fokusin te vota veç pak orë pasi të premten e 16 gushtit presidentja, Vjosa Osmani, e shpalli datën për mbajtjen e zgjedhjeve. Në muajt pasues organizuan tubime me qytetarë, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, dhe derdhën me mijëra euro për postim videosh promovuese nëpër rrjete sociale.

Votimet e shkurtit janë të parat të rregullta që prej shpalljes së pavarësisë dhe do të zhvillohen bazuar në Ligjin e ri të Zgjedhjeve, i cili sjell ndryshime në proces. I miratuar në verën e 2023-s, Ligji parasheh ndryshime në mënyrën e votimit, në numërimin e votave, në votimin e diasporës dhe në menaxhimin e fushatës. E, parasheh edhe rritjen e numrit të kandidatëve, për të cilët qytetarët mund të votojnë.

Sfidat dhe lehtësitë e ndryshimeve

Një prej ndryshimeve kryesore që i parasheh Ligji për Zgjedhje është se çdo votues do të mund të zgjedhë deri në 10 kandidatë për deputetë, ndryshe prej pesë sa ishin në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Përfshirja e këtij ndryshimi në Ligj është përcjellë me diskutime e me kundërshtime.

Eugen Cakolli, nga rrjeti i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”, tërheq vërejtjen për një rrezik që mund të prodhohet nga kjo mënyrë votimi.

“Mbi 60 për qind e qytetarëve nuk e kanë, le të themi, të definuar se cili do të jetë kandidati i pestë... Madje vetëm edhe mund të ketë raste të manipulimeve potenciale nga ana e komisionarëve, ku në rastet kur votuesit nuk i shënjojnë të gjitha rubrikat deri në dhjetë kandidatë, ekziston rreziku që këto të mbushen nga komisionerë të papërgjegjshëm me kandidatë të tyre të preferuar”, deklaroi ai.

E anëtari i KQZ-së, Arianit Elshani, e konsideron si sfidë përçimin e mesazhit të drejtë te zgjedhësit mbi këtë mënyrë të të votuarit.

“Këtu duhet mbështetje edhe e akterëve të tjerë, qoftë edhe mediave, qoftë edhe partive politike, që të edukojnë qytetarët në raport me votimin me 10 kandidatë. Pra, e drejta e tyre sot qëndron që votojnë nga një deri në dhjetë kandidatë për një parti politike. Përderisa një njeri shfrytëzon të drejtën e tij të votës, është mirë që ta shfrytëzojë në plotni, edhe të zgjedhurit e kandidatëve të tij më të mirë, por sigurisht ajo është gjithmonë në vullnetin e tij”, thotë Elshani.

Por kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi, mendon se rritja e numrit të kandidatëve që mund të votohen do t’i kontribuojë cilësisë së përfaqësimit politik.

“Është vlerësuar që kjo i shërben, të themi, mundësisë që figurave të caktuara politike, profesionale, të profileve të caktuara e kategorive të ndryshme shoqërore t’u rriten mundësitë për të marrë vota gjithandej Kosovës nga pak, por eventualisht edhe për t’u zgjedhur deputetë”, deklaroi ai.

Të drejtën për t’i zgjedhur kandidatët për deputetë do ta kenë edhe qytetarët në diasporë. Deri më 24 dhjetor, KQZ-ja pranoi rreth 70 mijë kërkesa nga diaspora për regjistrim si votues. Por ndryshe nga zgjedhësit në Kosovë, ata para kutive të votimit do të dalin më 8 shkurt. Këtë do ta bëjnë me prani fizike apo me votën e përcjellë me postë nëpër përfaqësi diplomatike në 22 vende të botës, ndryshe prej më herët kur u është dashur të udhëtojnë në Kosovë apo që votën ta dërgojnë me postë.

“Kemi konsideruar që është shumë me rëndësi për të eliminuar këto pengesa të mërgatës për të marrë pjesë në zgjedhje që në të shkuarën, përkundër vullnetit, kanë pasur shumë vështirësi për t'u regjistruar e për të votuar. E kemi plotësuar, domethënë, mënyrën e votimit edhe me dy opsione të reja: votimin në ambasada dhe konsullata fizikisht në ditën e shtunë, një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë, dhe votimin përmes postës, duke i dërguar me postë në adresë të ambasadave dhe konsullatave”, tha Rrustemi.

Por ky votim jashtë kufijve të Kosovës është kualifikuar sfidues për mbarëvajtjen e procesit.

“Është një sfidë në raport me atë se si ka për të ecur çdo proces atje, qoftë i nominimit të komisionarëve, qoftë i materialit që do të ruhet, materialit që do të dërgohet. Është edhe kjo tjetra e shërbimit postar që duhet të kontraktohet tash nga KQZ-ja dhe që jemi në proces të tenderimit. Pra, ka sfida të cilat është dashur të marrim edhe përvoja nga vendet e tjera, por edhe të shohim edhe praktikat më të mira që mund t'i realizojmë ne si institucion”, mendon Elshani, anëtar i KQZ-së nga PDK-ja.

Dy procese numërimi

Teksa vota e mërgimtarëve do të numërohet pas mbërritjes së saj në Kosovë, ndryshe do të veprohet me atë të qytetarëve rezidentë. Për ta, numërimi do të ndahet në dy procese. Në ditën e zgjedhjeve, nëpër vendvotime do të kalkulohet fillimisht vota për subjektin politik e një ditë më vonë dhe në qendra komunale të numërimit, ajo për deputetë. E qasje në procesin e numërimit të votave do të kenë edhe mediat.

Ky ndryshim, sipas Rustemit, do të ndikojë në certifikim më të shpejtë të rezultateve.

“Neve në Kosovë pothuajse dy muaj na merrte numërimi dhe certifikimi përfundimtar i rezultatit, ndërkohë që zgjedhjet që përgjithësisht kanë qenë të jashtëzakonshme organizoheshin brenda tridhjetë ditësh. Dhe unë besoj që ky numërimi i kandidatëve nëpër qendra komunale do ta përshpejtojë certifikimin përfundimtar të votave, sepse nuk do të ketë nevojë për rinumërime të shumta të përqendruara në QNR”, thotë ai.

Elshani mendon se kjo mënyrë e numërimit siguron edhe transparencë, pasi kandidatët do të mund ta mësojnë rezultatin që të nesërmen e ditës së zgjedhjeve.

“Do të dinë saktë, pa pasur nevojë që të kontaktojnë anëtarët e KQZ-së apo sekretariatin, apo brenda partive politike. Do ta kenë këtë publike dhe të hapur nga portali i KQZ-së, ku do të plasohen të gjitha rezultatet, formularët e po ashtu edhe rezultatet që numërohen në qendra komunale të numërimit”, shtoi ai.

Por për Cakollin e “DnV”-së ndryshimi i bërë është i panevojshëm.

“Besojmë që ka qenë vendim i gabuar që të shkohet me këtë opsion, për shkak se standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira kërkojnë që numërimi i votave të kandidatëve të mos bëhet në hapësira të ndryshme nga ato për subjekte politike”, thotë ai.

Ndryshime ka edhe në procesin e votimit me kusht, i cili do të lejohet veç në një vendvotim në secilën prej komunave. E për votimin e asistuar do të kërkohet arsyetim i bazuar mirë. Zgjedhjet e përgjithshme do të monitorohen për herë të parë edhe nga kamerat, xhirimet e të cilave do të vihen në dispozicion të institucioneve me qëllim të zbardhjes së keqpërdorimit.

Sipas listës preliminare, janë gjithsej 2 milionë e 47 mijë e 148 qytetarë me të drejtë vote, apo 161 mijë e 700 votues më shumë krahasuar me zgjedhjet lokale të 17 tetorit të 2021-s. Numri i të rinjve që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet për Kuvend është llogaritur të jetë afro 210 mijë.

Fushata e hershme

Për pjesëmarrje në zgjedhje filtrin e kontrollit e kaluan 27 subjekte politike e 1232 kandidatë. Por megjithëqë e kaloi këtë filtër institucional, KQZ-ja në funddhjetor mori vendim që të mos e licencojë partinë e serbëve të Kosovës, Listën Serbe. Vendimi u kritikua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, Gjermania, Britania e Madhe, Italia e misioni i OSBE-së në Kosovë, pasi u kualifikua si i ndikuar politikisht. E pas ankesës së subjektit në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), vendimi u zmbraps.

Që të gjithë pjesëmarrësit në këto zgjedhje do të kenë kohë mbi katër javë dhe nga maksimalisht 2 milionë euro buxhet për fushatë. Por punës iu vishën qysh verës. Tubimet me qytetarë për prezantim të programeve qeverisëse i intensifikuan nga fundi i vitit. Derisa partitë opozitare fushatat i përqendruan brenda Kosovës, ajo në pushtet fokusin e orientoi në diasporë. Kryeministri Albin Kurti i shfrytëzoi udhëtimet zyrtare jashtë shtetit edhe për takime me bashkatdhetarë. Vetëm në tetor udhëtoi në Gjermani dhe në Francë e takoi përkrahës të LVV-së në Mynih, Shtutgart, Këln e Berlin, si edhe në Paris. Një muaj më vonë, tubimet i vazhdoi edhe në Vjenë, Oslo e Frankfurt. E krejt këto, në Qeveri thanë se u organizuan për bashkatdhetarët nga qendrat e partisë në mërgatë.

Në “DnV” e kualifikuan problematike përdorimin e resurseve publike nga Qeveria për qëllime elektorale.

“Trendët aktualë tregojnë një prirje në rritje për të vënë burimet shtetërore në funksion të aktiviteteve dhe qëllimeve elektorale. Disa nga rastet që ilustrojnë një tendencë të tillë përfshijnë vizitat e fundit jashtë vendit të kryeministrit dhe ministrave, të cilat po shërbejnë më shumë si platformë për qëllime elektorale nën maskën e angazhimit diplomatik dhe diskutimeve me diasporën... Mbajtja e tubimeve politike jashtë vendit, në emër të detyrës zyrtare, përbën një keqpërdorim të burimeve të paguara nga taksapaguesit”, thuhet në raportin e “Drejt ditës së zgjedhjeve: Përgatitjet parazgjedhore, dinamikat dhe trendët e parafushatës” të publikuar në nëntor.

Për aranzhimin e tubimeve me bashkatdhetarë, shpenzimet për to dhe koordinimin me agjendën zyrtare të kryeministrit Kurti, në LVV nuk kthyen përgjigje që kur janë pyetur për herë të parë në tetor.

E ndryshe nga partia në pushtet, subjektet opozitare fushatën e përqendruan në rrjete sociale. Për këtë, bazuar në një raport të nxjerrë nga platforma “Meta”, nga 23 shtatori e deri më 21 dhjetor i shpenzuan me mijëra euro. Listës së subjekteve i prin LDK-ja, me 33.908 euro të shpenzuara. Veç kryetar i saj, Lumir Abdixhiku, i derdhi 11.701 euro. Ai i PDK-së, Memli Krasniqi, ndau për sponsporizim të postimeve 5575 euro, ndërsa kandidati i partisë për kryeministër, Bedri Hamza, 4211 euro. E 5747 euro në postime i shpenzoi kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. LVV-ja, si subjekt, pagoi 365 euro për postime, teksa kryetari e kandidati i saj për kryeministër, Albin Kurti, nuk figuron në listë.

Sipas analizës së “Demokracia në Veprim”, një trend i tillë e reflekton varësinë nga rrjetet sociale për përhapjen e mesazheve politike, por vlerësoi se transparenca mbi shpenzimet është e nevojshme për ta ruajtur integritetin e zgjedhjeve.