Dhjetëra autobusë e një numër i madh veturash kanë kaluar nëpër pikat kufitare Kosovë-Serbi në ditën e zgjedhjeve qendrore, krahinore e lokale serbe. Numri i madh i tyre në Jarinjë në të dyja anët ka bërë që kufirin shumë serbë të veriut ta kalojnë në këmbë. Policia ka thënë se është angazhuar për këtë ditë , e në vizitë për t’i parë nga afër pikat kufitare ka dalë edhe vetë drejtori i përgjithshëm i Policisë.
Moslejimi i mbajtjes se zgjedhjeve serbe në Kosovë për herë të dytë ka bërë që shumë qytetarë t’ia mësyjnë Serbisë për të votuar.
Dhjetëra autobusë prej kompanive të Rashkës e Nishit të Serbisë, e një numër më i vogël nga kompanitë nga veriu i Kosovës e të Prishtinës, i ka kontraktuar Serbia për të marrë udhëtarë për të votuar në vendvotimet e tyre në Rashkë përmes pikës kufitare të Jarinjës.
Ankesa patën udhëtarët në Jarinjë, shumica prej të cilëve morën rrugë për në Serbi për të votuar.
“Ishim në Serbi në votime...Epo autobusi na solli deri atje poshtë tek ura, e prej urës e këndej erdhëm në këmbë. E më pas me kombi”, ka thënë Milan Slavkoviq, votues.
“Një orë e gjysmë kam pritur në kufi. Isha te miqtë, bashkëshorten e kam nga Kosova. Kolonë jonormale... Jo, nuk votoj, nuk më intereson, dhe të them të drejtën as kohë s’kam për këtë”, ka thënë udhëtari nga Novi-Pazari, Radoslav Qurçiq.
“Po shkojmë të votojmë, ta votojmë Vuçiqin. Po presim ta kalojmë kufirin, presim autobusin”, është shprehur Slagjana Jovanoviq, banore e Komunës së Leposaviqit.
“Për mua si qytetare kjo është e pakuptimtë, meqë të gjithë e kanë ditur që sot do të ketë presion të madh në pikëkalimet në Kosovë, e pikëkalimi i Jarinjës është dashur të jetë organizuar shumë më mirë”, ka deklaruar Valentina Gjerkoviq, anëtare e “Demokracia Serbe”.
Ndërkohë Policia e Kosovë ka bërë të ditur se ka angazhuar staf të shtuar për t’i mbështetur kapacitetet kufitare për ditën e zgjedhjeve të Serbisë.
Në Jarinjë ka dalë për vizitë edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha.
“Në këtë rast kemi ardhur ta vizitojmë pikën në Jarinje, shihet që këtu ka një fluks të madh të qytetarëve që po dalin nga Kosova në Serbi dhe nga Serbia në Kosovë. Ka një numër të madh të automjeteve, ne po mundohemi që maksimalisht ta lehtësojmë qarkullimin e njerëzve dhe të automjeteve në mënyrë që ta mundësojmë kalimin e andej e këndej kufirit mirëpo po ka edhe në pjesën territorit të Serbisë edhe në pjesë të territorit të Kosovës ka numër të madh të njerëzve. Po punojmë që të gjitha kapacitetet që ta lehtësojmë sa më shumë qarkullimin”, ka deklaruar drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha.
Ndonëse tha se bashkëpunimi nëpër kufij po shkonte mirë, Hoxha tha se kohën e pritjes e zgjasin letrat ngjitëse.
Sipas tij, vendosja e letrave ngjitëse që mbulojnë simbolet shtetërore në targa në të dyja anët e kufirit është shpenzim kohe për qytetarët dhe e zgjat pritjen në kufi.
Kolonat kanë vazhduar edhe gjatë pasdites, kur është vërejtur ulje e kohës së pritjes.