Arbëri

Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, Xhezairi: Prishtina zyrtare po ndërhyn në mënyrë flagrante

Seladin Xhezairi

Seladin Xhezairi, kryeredaktor i “Klubi i Debatit Politik”, ka thënë se Qeveria e Kosovës po ndërhyn në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut që do të mbahen më 8 maj.

Ai ka shtuar se në Kosovë haptazi po bëhet fushatë kundër Bujar Osmanit si kandidat i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) për president. Ka thënë tutje se “nuk kemi pasur ndonjë ndërhyrje zyrtare publike të ndonjë vendi tjetër fqinj apo të jashtëm në këtë mënyrë siç po e bën Prishtina zyrtare”.

“Ditët e fundit janë paraqitur pllakata që shkruan se Bujar Osmani, madje pllakatat janë ngjitur në Mitrovicë, është shpallur non grata. Ky interferim i Qeverisë Kurti nuk është se nuk ka shkaktuar fërkime, në njërën anë simpatizantët dhe pjesëtarët e koalicionit VLEN e kanë mirëpritur angazhimin e tij duke përfshirë edhe tre emra kandidatë për deputetë nga VV”, ka thënë ai në Interaktiv.

Xhezairi ka shtuar se edhe në të kaluarën ka pasur ndikime politike, por asnjëherë, ka theksuar ai, që një shtet fqinj të marrë anë.

“Ashiqare kemi një ndërhyrje flagrante të Prishtinës zyrtare në këto zgjedhje. Edhe në të kaluarën ka pasur interferime të partive politike, kryesisht të mbështetjes së BDI-së e Ali Ahmetit, por mbështetja ka ardhur mbi vija partiake. Kjo nuk ka ndodhur deri tani që Prishtina zyrtare në zgjedhje në një shtet fqinj të marrë anë dhe nuk e di sa do jetë e shëndetshme kjo”, është shprehur ai.

Xhezairi ka potencuar se që Qeveria e Kosovës po ndikon, kjo është vërejtur kur zëdhënësi i saj ka hedhur kritika për Osmanin mbi diçka që ka ndodhur muaj më parë, e për të cilën atë kohë as nuk ka reaguar.