Krahas pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit, edhe dy hallka të tjera të hetuesisë do të mbesin pa menaxherë. Këshilli Prokurorial së shpejti do të duhej të hapte konkurs për kryeprokuror special e atë të Prishtinës. Por ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka ngritur dyshime se këto konkurse nuk do të jenë të drejta. E në Këshillin Prokurorial nuk iu përgjigjën pyetjeve të KOHËS për çështjen
Brenda pak javësh, pa udhëheqës me mandat të plotë zyrtarisht do të mbesin tri hallkat kryesore të hetuesisë në Kosovë.
Krahas pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit, që prej një viti e gjysmë ka mbetur me ushtrues detyre, në fund të mandatit janë edhe kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, e kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi.
Konkursi ende nuk është shpallur, por ligjërisht Këshilli Prokurorial do të duhej që të vendoste së shpejti për hapjen e tij.
Emri i Blerim Isufajt është në Presidencë që nga prilli i shkuar, kur Këshilli Prokurorial e dërgoi për dekretim, porse presidentja Vjosa Osmani nuk e mori një vendim me justifikimin se për këtë rast ka ankesa në Kushtetuese.
E ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se Gjykata Kushtetuese e ka njoftuar Presidencën se është duke e trajtuar këtë rast.
“Sipas njoftimeve që i kam, presidentja tashme është njoftuar që është duke e trajtuar një rast të natyrës së tillë. Kosova ka kryeprokuror, gjegjësisht ka ushtrues detyre, i cili nuk ka ndonjë kufizim në ushtrimin e kompetencave”, ka deklaruar ajo.
Ndaj Isufajt e përbërjes aktuale të Këshillit Prokurorial, akterë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë adresuar shumë herë kritika. Kjo i nxiti ata në kundërreagim me pretendimet për ndërhyrje politike.
Tek ka folur për konkurset që do të hapen për kryeprokuror të Speciales e të Themelores në Prishtinë, Haxhiu ka vlerësuar që përbërja aktuale e KPK-së mund t’i kontaminojë ato.
“Nuk besoj që procesi mund të kalojë pa u kontaminuar. Nuk besoj që do të jetë një proces fer, duke pasur parasysh mbylljen e Këshillit Prokurorial”, ka thënë ajo.
KOHA i ka adresuar pyetje qysh të martën Këshillit Prokurorial lidhur me çështjen. Ani se kërkuan një ditë kohë, nga kjo instancë nuk u ofruan përgjigje.
Burime të KOHËS kanë bërë të ditur se Ambasada britanike i ka kërkuar KPK-së që t’ia lejojë monitorimin e dy konkurseve, por që organi i akuzës ende nuk ka marrë vendim.
Në Këshillin Prokurorial dhe në Prokurorinë Speciale në vazhdimësi janë ankuar se zyrtarët e Qeverisë u ndërhyjnë në punë nëpërmjet deklarimeve publike. E nga Qeveria, Prokuroria Speciale akuzohet për ndjekje selektive të njerëzve të lidhur me Vetëvendosjen e për amnistimin e atyre që janë të afërt me qeveritë e kaluara.