Arbëri

Zëvendësministri i Arsimit thotë se PDK-ja po i shtrembëron faktet për subvencionimin e librave

Zëvendësminstri i Arsimit, Taulant Kelmendi

Foto: Alban Bujari

Zëvendësminstri i Arsimit, Taulant Kelmendi, ka reaguar ndaj deklaratave të anëtarëve të Komisionit Hetimor për subvencionimin e teksteve shkollore nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati dhe Bekim Haxhiu, të cilët e kanë akuzuar ministren Arbërie Nagavci për zhvatje të buxhetit dhe dhunë psikike ndaj prindërve.

Kelmendi ka thënë se Kastrati e Haxhiu po i shtrembërojnë faktet, teksa i ka akuzuar edhe për “tjetër motiv” të këtij reagimi.

“Kryesisht ishin të shqetësuar se nuk janë bërë tenderë milionësh për blerjen e teksteve me shtëpitë botuese. Deputetët Ardian Kastrati e Bekim Kamishi në emër të PDK-së janë kundër që buxheti të shkojë te prindërit dhe nxënësit. Ata ndanë brengën se po subvencionojmë drejtpërdrejt prindërit jo vetëm për tekste por edhe për materialet e tjera shkollore. Çka të bie në sy me të parën në reagimet e tyre është shtrembërimi i fakteve por edhe një dozë jo e vogël e mungesës së njohurive. Ata nuk tregojnë pse. Mbase, ngase nuk e thonë dot publikisht motivin e vërtetë të këtij reagimi që e bëjnë”, ka shkruar ai në Facebook. 

Sipas Kelmendit, krejtësisht i ndryshëm është reagimi i qytetarëve. 

“Për 24 orë janë proceduar me sukses 60,244 aplikime. Aplikim i lehtë dhe i shpejtë”, ka shtuar ai.
Gjatë konferencës, Ardian Kastrati ka akuzuar ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, për keqpërdorim. Teksa Bekim Haxhiu ka thënë se për këtë çështje nevojitet veprim urgjent i Prokurorisë së Shtetit.