Arbëri

Zeqiri: Shpërthimi ndodhi në oborrin e shtëpisë së bashkëpunëtorit tim më të mirë nga komuniteti serb

Kryetari i komunës së Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri, ka njoftuar se personi në shtëpinë e të cilit ka shpërthyer një mjet të mërkurën, është bashkëpunëtor i tij në komunë dhe vjen nga komuniteti serb. 

Në një lidhje direkte për “60 Minuta” të KTV-së, Zeqiri ka thënë se nuk është në dijeni nëse rasti lidhet me kërcënimet që ka marrë ai vetë nga një person ditë më parë, megjithatë nga rasti i shpërthimit nuk ka persona të lënduar. 

“Është e vërtetë (shpërthimi i zjarrit në oborrin e një shtëpie), është te një asistent i imi dhe bashkëpunëtori më i mirë që e kam prej palës së shumicës serbe. Është sulmuar mbrëmë me një bombë afër shtëpisë së tij, ka dëmtime në veturë dhe në dritaret e shtëpisë. Është sulm që ka dëme materiale, por jo lëndime në persona”, ka thënë ai. 

Zeqiri ka shtuar se sulmet e tilla ndaj individëve të caktuar janë tinëzare, por shprëson se së shpejti rasti do të ndriçohet në tërësi. 

Derisa ka folur për kërcënimet me vrasje që ka marrë nga një person dy ditë më parë, Zeqiri ka thënë se nuk ka frikë dhe puna në komunë vazhdon normalisht. 

“Këtë person nuk e njoh, e njoh vetëm adresën e tij që e kam lexuar dhe besoj e ka ende funksionale. Ky person më ka kërcënuar para tre muajsh, diku më 31 maj dhe dy netë më parë i njëjti e ka bërë edhe një kërcënim me vrasje ndaj meje përmes një statusi. Aty shkruhet që është një person i quajtur Stefan Marko, një oficer në MUP-in e Serbisë, e ka kryer shkollën e lartë të sigurimit shtetëror në Beograd, jeton në Beograd dhe është i angazhuar diku në Mitrovicën Veriore si oficer policor. Edhe herën e parë, por edhe në të dytën ky rast është i lajmëruar te organet e hetuesisë. Gjithandej komunës ka siguri të mjaftueshme, ani pse këto raste po ndodhin për t’u frikësuar nuk vjen në konsideratë, puna vazhdohet nga ana ime dhe e stafit tim”, është shprehur ai.