Një status në Facebook me elemente politike mund ta çojë në masa ndëshkuese një pjesëtar të Policisë së Kosovë. Atyre nuk u lejohet që derisa janë me uniformë, të publikojnë komente politike. Kjo qe arsyeja që çoi në suspendimin e policit Amir Hoxha. Zyrtarët policorë veprojnë sipas një urdhërese të para disa vitesh që i obligon të jenë neutral.
Kështu ka thënë kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovë, Imer Zeqiri, në një përgjigje për KOHËN. Ai ka theksuar se sipas urdhëresës, zyrtarët policorë nuk kanë të drejtë të postojnë mjete apo komente politike.
“Ne i kemi disa gjëra të kufizuara në polici që nuk guxojmë të bëjmë publikime politike, nuk kemi të drejtë. Është një urdhëresë prej disa vitesh nga menaxhmenti që thotë se nuk kemi të drejtë të bëjmë komente politike”, ka thënë ai.
Sa i përket statusit të Hoxhës, i cili të premten ka kërkuar paratë e shujtave për policët dhe shtesat për punë jashtë orarit, Zeqiri ka thënë se ka elemente politike në të. Në Facebook Hoxha ka përmendur shpenzimet enorme të deputetëve për karburant duke bërë krahasimin me policët.
“Pak a shumë e ka prekë politikën dhe publikimi me uniformë, këto janë, për shkak të urdhëresës sepse nuk kemi të drejtë t’i bëjmë këto gjëra. Komentet politike nuk kemi të drejtë t’i bëjmë. Duhet të jemi neutral”, shtoi ai.
Megjithatë, Zeqiri theksoi se si sindikatë janë duke e shqyrtuar rastin dhe po kërkojnë ta marrin në monitorim.
Ndërkaq në një reagim të mëvonshëm, Sindikata e Policisë së Kosovës ka thënë se rastet e fundit të suspendimit të policëve kanë qenë shqetësuese dhe se do të kërkohet sqarim për arsyet e suspendimit.
{gallery}