Arbëri

Zeqiri e cilëson të padrejtë shkarkimin: Lajmin e mora nga mediat

Kryetari i Sindikatës së Policëve, Imer Zeqiri

Imer Zeqiri, tashmë ish-kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës, ka reaguar për shkarkimin e tij përmes një postimi në Facebook.

Ai ka thënë se nga mediat e ka kuptua se është mbajtur takim i Kuvendit të Përgjithshëm të kësaj sindikate ku është vendosur për shkarkimin e tij.

Takimin për të cilin ka deklaruar se nuk ka qenë i njoftuar, Zeqiri e ka cilësuar në kundërshtim me Statutin, si akti më i lartë juridik i Sindikatës së Policisë së Kosovës dhe në kundërshtim me parimet etike e fisnike të një strukture të tillë.

“Më vjen keq që Sindikata për të cilën kam bërë punë me shumë përkushtim dhe angazhim për të avancuar pozitën, mirëqenien dhe të drejtat e të gjithë pjesëtarëve të policisë, është kthyer në një mekanizëm të individëve për të realizuar interesa individuale, e që do të dëshmohet ndërkohë.  E lexova komunikatën e lëshuar dhe është e habitshme se si në të nuk janë përmendur arsyet se pse është vendosur për shkarkimin tim. Si mund të ketë shkarkim pa u dhënë arsyet dhe pa u bërë ato publike? Sa i përket procesit ndaj meje dhe për të cilin jeni të njoftuar, nuk ka një vendim përfundimtar. Parimi bazë i prezumimit të pafajësisë është hedhur poshtë sot nga ata që me aq zell kanë marrë vendim të qëllimshëm nën pretekstin e shkeljes në mënyrë të heshtur të këtij parimi. Në këtë rast 60 delegatë që kanë ngritur dorën pro shkarkimit a thua vallë e dinë se kanë bërë vetëgjyqësi?”, ka shkruar ai.

Sipas tij, në një proces të rregullt me prezencën e tij, do ta pranonte çfarëdolloj vendimi që do ta merrte kuvendi, që do të ishte i thirrur sipas Statutit të SPK-së. Por, ka shtuar se ti tillë, “pas shpine” nuk mund ta pranojë.

Zeqiri ka thënë se takimet e thirrura në kundërshtim me Statutin dhe vendimet që dalin prej tyre janë të pazbatueshme.

“Veprimet si ky i sotmi, vërtetojnë synimet për “puç”, të përgatitura që sa kohë dhe janë vazhdim i prapaskenave nga individë në Sindikatën e Policisë së Kosovës dhe përreth saj. Prej kur jam në krye të sindikatës, të arriturat janë evidente dhe publike, andaj jam krenar me punën dhe angazhimin tim. I falënderoj anëtarët e sindikatës dhe pjesëtarët e policisë për shumë mesazhe e thirrje përkrahëse që më kanë bërë këto ditë”, ka shkruar ai.


Shkarkohet kryesindikalisti i Policisë, Imer Zeqiri

Sindikata e Policisë së Kosovës ka votuar të dielën për shkarkimin e kryetarit të saj, Imer Zeqiri. 
Nga Sindikata është bërë e ditur se në Kuvendin e jashtëzakonshëm të thirrur nga Këshilli Drejtues i Sindikatës është votuar për shkarkimin e Zeqirit. U tha se në Kuvend ishin të pranishëm 60 delegatë nga gjithsej 73 sa i ka Kuvendi dhe se në mënyrë anonime u votua për shkarkimin e Zeqirit. 

“Sot më datë 19.05.2024 është mbajtur Kuvendi i Përgjithshëm i Jashtëzakonshëm ku ishte thirrur nga Këshilli Drejtues i SPK-së bazuar në Ligjin mbi Organizimin Sindikal dhe Statutit të Sindikatës së Policisë së Kosovës, me të vetmen pikë të rendit të ditës për votimin e shkarkimit të kryetarit të SPK-së, Imer Zeqiri. Në këtë Kuvend të pranishëm ishin 60 delegatë të Kuvendit nga gjithsej 73 delegatë që ka ky Kuvend dhe në mënyrë unanime me vota të hapura të gjithë votuan PRO shkarkimit të kryetarit të Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri. Kuvendi i Përgjithshëm i SPK-së i siguron të gjithë anëtarët e Sindikatës së Policisë së Kosovës se kjo Sindikatë do të vazhdoj punën pa pengesa deri në Kuvendin e ardhshëm duke mbrojtur të drejtat e çdo punonjësi të Policisë së Kosovës, ngritjen e mirëqenies dhe kushteve të punës”, ka njoftuar Sindikata. 

Inspektorati Policor i Kosovës kishte rekomanduar më 10 maj suspendimin e një togeri policor nën dyshimin se ka kryer veprën penale të “fotografimit dhe incizimeve tjera të paautorizuara”.

Sipas njoftimit nga IPK-ja, departamenti i hetimeve pas pranimit të informatës ka dalë në vendin e ngjarjes ku dyshohet të jetë kryer vepra penale. Në njoftim theksohet se kjo ka ndodhur në zyrat e Sindikatës së Policisë së Kosovës.

IPK-ja ka thënë se zyrtarët e saj kanë kontaktuar me Prokurorin kompetent duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore së bashku edhe me njësi relevante të Policisë.

E Sindikata e Policisë së Kosovës, në një komunikatë për media të premten në mbrëmje, kishte njoftuar se togeri i suspenduar nën dyshimin për “fotografim dhe incizime të tjera të paautorizuara” ishte kryetari i saj, Imer Zeqiri.