Arbëri

Zenka: Situata në Mal të Zi është shqetësuese, proserbët po bëjnë të pamundurën të çnjihet Kosova

Mehmet Zenka nga Unioni Demokratik i Shqiptarëve në Mal të Zi

Mehmet Zenka nga Unioni Demokratik i Shqiptarëve në Mal të Zi ka deklaruar se situata është shqetësuese për shkak se kryeministri malazias, Milojko Spajiq, ka partnerë “proserbë që janë haptas kundër shtetit të Kosovës”.

Ai ka deklaruar të hënën në “Interaktiv” të KTV-së se ishte e domosdoshme vizita e Kaja Kallas, përfaqësuese e lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, duke thënë se ajo duhej “ta shihte të vërtetën në vendin e ngjarjes”.

“Ishte e domosdoshme prezenca e frymës evropiane në Mal të Zi...E domosdoshme që të njihet me pozitën dhe opozitën dhe të shohë të vërtetën në vend të ngjarjes. Në Mal të Zi situata është shqetësuese sa i përket orientimeve kah Evropa”, ka thënë Zenka.

Ai ka shtuar se forcat proevropiane po e mbajnë situatën nën kontroll.

“Në dyvjeçarin e fundit ku partnerët e zotit Spajiç janë partitë proserbe që janë haptas kundër shtetit të Kosovës dhe bëjnë të pamundurën që ta sjellin deri te çnjohja e Kosovës nga ana e Malit të Zi. Por, forcat proevropiane deri në këto komente po e mbajnë situatën në kontroll”, ka thënë ai.

Për një tabelë të vendosur në një kryqëzim në Rozhajë të Malit të Zi që e paraqiste Pejën si pjesë të Serbisë, Zenka tha se ishte veprim i qëllimshëm e aspak rastësi.

“Kjo tabelë ishte e qëllimshme, s’ka rastësi. Ishte me qëllim që të ngrihen tensionet. Tabela ishte provokim kundër shqiptarëve që jetojnë në Plavë e Guci...”, ka shtuar ai.