Arbëri

Zeneli: Nuk ka luftë hibride në raportimet për bisedat e Kusari-Lilës e Mihalit

Alban Zeneli

“Luftë hibride” është përdorur si term së fundmi nga politikanët në Kosovë. Mbi luftën hibride dhe kontekstin në të cilin është përdorur si term nga politikanët, ka folur profesori në Departamentit të Gazetarisë në UP, Alban Zeneli, në emisionin “60 Minuta” në KTV.

Zeneli ka thënë se është përmendur gabimisht dhe se nuk qëndron ajo që politikanët u janë referuar si “luftë hibride” raportimeve të mediave për rastin e bisedave të shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lilës me Slavko Simiqin, dhe të koordinatores së VV-së, Dejona Mihali me ish-kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqi.

“Në kontekstin në të cilin është përmendur nga politikanët në Kosovë është përmendë gabimisht sepse është përmendë me idenë që të denoncohen mediat dhe të denoncohet puna e tyre në raport me Qeverinë, Kuvendin, Grupin Parlamentar të VV-së. Është përdorur gabimisht sepse për t’u quajtur luftë hibride ne mund të gjejmë argumente se Serbia bën luftë hibride për Kosovën, por mediat e Kosovës nuk janë të përfshira në të. Lufta hibride përkufizohet si tendencë e një organizate a shteti kundër një shteti a organizate me qëllim të ndryshojë gjendjen në terren përmes disa veprimeve në kuadër të cilave hyjnë veprimet që lidhen me dezinformimin dhe çorientimin e publikut”, ka shpjeguar ai.

Zeneli ka sqaruar më tej se në rastet konkrete komunikimet janë publikuar për shkak të pozitave që mbajnë ata persona dhe interesit që paraqesin për publikun.

“Në Kosovë është përdorur në rastet kur është raportuar për bisedat e Kusari-Lilës me Simiqin, të Krasniqit me Mihalit, dhe këtu nuk ka elemente të luftës hibride sepse si studiues të komunikimit dhe gazetarisë pikëpamjet për këto çështje i kemi tjera dhe argumentet janë në tjetrën anë, nuk janë që çojnë te lufta hibride. Secila redaksi bën një gjykim editorial të përmbajtjeve para publikimit dhe një nga vlerësimet është nëse informacioni paraqet interes publik, një element tjetër është personaliteti i përfshirë. Në këtë pikëpamje kemi zyrtarë shtetërorë, publikë, që janë të përfshirë në biseda që dyshohen se janë të paligjshme”, ka shtuar ai.

Zeneli ka theksuar se gjuha e urrejtjes ndaj gazetarëve është e përhapur dhe në rritje, sidomos në rrjete sociale.

“Ky termi i luftës hibride është vazhdimësi e gjuhës së urrejtjes ndaj medias në rastin e Kosovës. Fatkeqësia është se kjo po bartet te një numër i qytetarëve që nuk e kanë të zhvilluar mjaftueshëm mendimin kritik për atë çfarë shohin dhe lexojnë”, është shprehur ai.

Ndërkaq, ka folur edhe për luftën hibride që Serbia dhe Rusia bëjnë kundër Kosovës.

“Disa narrativa të rreme të Rusisë dhe Serbisë janë dominonte në Ballkan për Kosovën. Narrativat që i përdor Rusia dhe Serbia, shembull Rusia tenton ta vë një shenjë barazie mes ndërhyrjes në Ukrainë dhe ndërhyrjes në Kosovë dhe thotë nëse intervenimi i NATO-s atëherë edhe ndërhyrja jonë është e ligjshme. Por nuk e përmend një fakt që në Kosovë është zhvilluar një gjenocid gjatë vitit 98-99 dhe ndërhyrja në Kosovë ka ndodhur për arsye humanitare. Në rajonet ku ka ndërhyrë Rusia, nuk ka pasur luftë të tillë apo gjenocid që e ka zhvilluar Ukraina. Serbia shpesh i kopjon narrativat që Rusia i krijon për Ukrainën dhe i përdor për Kosovën. Putini i referohet Zelenskyt si nazist, si qeveri naziste – të njëjtën tenton ta bëjë Serbia duke e quajtur Qeverinë e Kosovës, kryeministrin Kurti, kryetarët në veri duke i quajtur nazistë”, ka potencuar Zeneli.

Vetë Kusari-Lila e më pas edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kanë thënë se ndaj Vetëvendosjes po bëhet “luftë hibride”.