Arbëri

Zemaj: Kemi rënie të vdekshmërisë nga koronavirusi, po angazhohemi për sigurimin e vaksinës

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka deklaruar se në dy javët e fundit, 49 persona kanë vdekur nga koronavirusi apo 1.18 për qind.

Në një mbledhje me Komitetin për Koordinim dhe Vlerësimin të pandemisë COVID-19, Zemaj ka deklaruar se gjatë 2 javëve janë infektuar 4.122 persona me koronavirus, derisa ka thënë se ka një ulje të vdekjeve prej 1.16 për qind.

Nga 4 shkurt 2020 deri më 21 shkurt 2021, u testuan gjithsej 285.900 persona të dyshimtë me virusin sars-Covid-2. Deri më sot janë 66.880 raste apo 23.4 për qind e mostrave të testuara kanë rezultuar pozitive. Deri më 21 shkurt janë 58.169 të shëruar apo 37.6 për qind. Aktualisht janë 6.639 raste aktive që shprehet 10 në përqindje. Në dy javët e fundit, më 7 shkurt 2021 deri më 20 shkurt, janë raportuar 4.122 raste pozitive, 49 raste kanë përfunduar me fatalitet ndërsa pozitiviteti është 1.18 për qind. Deri më tani janë regjistruar gjithsej 1.572 vdekje me një shkallë prej 2.3 për qind”, ka deklaruar Zemaj.

“Sipas gjinisë, meshkujt janë më të prekur, me rreth 51 për qind të infektuar dhe 49 për qind femrat”, ka deklaruar Zemaj. “Deri më 21 shkurt, duke marrë për bazë rastet, numri i të sëmurëve 312 deri 317, dhe mesatarja në ditë do të jetë bazuar në situatën epidemiologjike. Duhet vazhduar masat rigoroze sipas komunave dhe duhet respektuar masat e tanishme. Angazhimi ynë është maksimal për sigurimin e vaksinës anti-COVID dhe vaksinimi i popullatës. Puna jonë është transparente dhe e pandalshme”.

Zemaj ka potencuar se gjatë 24 orëve të fundit janë kryer më shumë 3 mijë teste, ku shkalla e pozitivitetit është mbi 8.3 për qind.

Drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, ka thënë se është e gatshme strategjia për nisjen e vaksinimit, ndërsa ka folur edhe për variantet e reja të koronavirusit.

“Jemi gati me strategjinë për nisjen e vaksinimit. Duke pasur parasysh rastet me variantin e ri, jemi duke hulumtuar dhe do të bëjmë hulumtimin e rasteve të variantit të ri”, ka shtuar Ramadani.


Lenjani: Emergjenca e mbipopulluar, vetëm pas zgjedhjeve po flitet për shtrëngim masash

Drejtori i Emergjencës, Basri Lenjani, në takimin e Komitetit për Koordinim e Vlerësim të Situatës me pandeminë, ka kritikuar institucionet se vetëm pas përfundimit të zgjedhjeve po flitet për ndryshim të masave.

Ai ka thënë se Emergjenca është e mbingarkuar me pacientë, por edhe spitalet.

“Deri para tri javëve nuk ka pasur asnjë reagim nga institucionet, kurse tash pas zgjedhjeve po flasim për rritje të masave. Ka një stërmbushje të pacientëve në spitalet tonat. Emergjenca është e mbipopulluar”, ka thënë Lenjani. "Shqetësimi i shërbimeve emergjente është për sëmundjet të cilat po presin për procedurë dhe veprime mjekësore. Është mbipopullim, të mendojmë për të sëmurët që kanë nevojë për intervenime. Agjencitë që po i tregojnë sukseset, unë i shoh me mëdyshje. Ejani vizitoni Emergjencën ku është mbipopulluar me persona që kërkojnë shërbime", tha ai.


Krasniqi: Situata me pandeminë e menaxhueshme, numri i pacientëve të shtrirë sillet në rreth 500

Drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi ka thënë se situata me pandeminë është e menaxhueshme. Aktualisht në gjitha qendrat në kuadër të SHSKUK-së janë duke u trajtuar 526 pacientë me COVID-19, 370 prej tyre janë me oksigjenoterapi të vazhdueshme, 21 në gjendje më të rëndë, e shtatë prej tyre janë në respiratorë dhe gjendja e tyre vlerësohet kritike.

“Situata është e menaxhueshme dhe në kontroll të plotë. Ka dy muaj që e kemi shumë më të favorshme situatën. Nga 1 janari deri më tash numri i pacientëve të shtrirë sillet rreh 500. Në nivel të njësive përbërëse në kuadër të SHSKUK-së sot kemi 526 pacientë të shtrirë me COVID-19, 370 prej tyre janë në oksigjenoterapi të vazhdueshme, 21 në gjendje më të rëndë dhe shtatë prej tyre në respiratorë e gjendja e tyre vlerësohet kritike”, ka thënë Krasniqi, që ka treguar se nga spitalet e përgjithshme ndër më të ngarkuarit është ai i Prizrenit me rreth 100 pacientë. “Shumica e barnave janë të siguruara, ka mungesa kohë pas kohe. Ka dy muaj që analizat d-Dimer po punohen aty. Në QKUK kemi filluar me trajtim me plazmë gjaku më 4 shkurt. Janë aplikuar mbi 30 doza te pacientët”.