Arbëri

Zeka: Ndalimi i importeve serbe nga Kosova ka prekur edhe kompanitë e huaja

Arian Zeka, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane, ka thënë se masa e ndalimit të importeve serbe nga Qeveria e Kosovës ka prekur “gati në terma absolutë” kompanitë amerikane, gjermane, zvicerane e të tjera.

Në një intervistë në “60 Minuta” të KTV-së, Zeka ka thënë se nëse Qeveria ka synuar t’i atakojë interesat komerciale të Serbisë, atëherë sipas tij, ky qëllim nuk realizohet përmes kësaj mase.

“Nëse masa ka pasur qëllim të atakojë interesat komerciale serbe atëherë ky qëllim nuk realizohet përmes një mase të tillë. Masa prek vetëm produktet përfundimtare, që po e them edhe një herë, në masë të konsiderueshme, gati në terma absolutë, prodhohen nga fabrikat të cilat janë në pronësi të kompanive amerikane, gjermane, zvicerane”, ka thënë ai.

Qeveria e Kosovës i ka ndaluar importet nga Serbia në qershor të 2023-s, me arsyetimin se ato po rrezikojnë sigurinë e Kosovës, dhe se, përmes tyre, mund të hyjnë edhe armë në vend. Megjithatë, autoritetet nuk kanë dalë asnjëherë me ndonjë raport vlerësues se si ka ndikuar kjo masë në nivelin e sigurisë.

Duke cituar Departamentin e Shtetit, Zeka ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka arritur të dëshmojë se si ndalimi i importit ka adresuar brengat e sigurisë.

“Masa është përmendur edhe në Deklaratën e Klimës së Investimeve të publikuar në muajin korrik nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Aty ndër të tjera thuhet se Qeveria nuk ka arritur të dëshmojë se si një masë e tillë e ndalimit të importit të produkteve adreson brengat që Qeveria i ka sa i përket aspektit të sigurisë”, ka shtuar Zeka.