Zdrukthëtarë, teneqepunues, rrobaqepës, këpucëtarë e armëpunues, janë disa nga zejet me të cilat dikur njihej Prishtina.
Edhe pse të pakët në numër, ka ende prej tyre që këtë punë e bëjnë me pasion, raporton emisioni 038 i KTV-së.
I tillë është edhe Gani Berisha.
Farkëtari 78-vjeçar rrëfen se zanatin e mori nga daja i tij. Ndryshe nga pasardhësit të cilëve nuk u leverdis kjo veprimtari, sipas Ganiut, dëshira e madhe për punë e ka mbajtur biznesin aktiv, përkundër fitimit jo të madh.
Ndonëse fitimi e interesimi janë çdo vit në rënie, Ganiu thotë se me forcat e tij mundohet të paguajë tatimin e obliguar.
Të njëjtat ankesa ka edhe teneqepunuesi Afrim Rukovci.
Produkt i punës së tij 40-vjeçare janë kazanët, qypat e shumë gjësende të tjera të metalit për të cilat ka përkushtim të madh.
Ndonëse e mban familjen me këtë biznes, shprehet se është në dilemë se a mund të vazhdojë më tutje. E për këtë, sipas tij, fajtore është edhe Komuna e Prishtinës, e cila nuk i ndihmon ta zhvillojë këtë veprimtari.
Për idenë e çarshisë për të cilën zejtarët nuk kanë dëgjuar, zëdhënësja Miranda Mullafazliu, ka thënë se do të jetë përparësi dhe mundësi e mirë pikërisht për këto biznese. Sipas saj, në të zejtarët do të kenë mundësi më të mëdha për të shitur produktet e tyre.