Një ditë pasi kryetari i Këshillit Evropian, Charles Michell, propozoi që viti 2030 të caktohet si afat për zgjerimin e Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor, në Komisionin Evropian thanë se fokusi është te zgjerimi e jo tek afatet kohore. Zëdhënësja e këtij komisioni theksoi se përqendrimi është te ndihma për reforma, tek investimet dhe transformimi i ekonomive të vendeve aspiruese për anëtarësim
Propozimi i kryetarit të Këshillit Evropian, Charles Michell, që viti 2030 të vendoset si afat deri kur vendet anëtare të BE-së por edhe vendet kandidate duhet të bëhen gati për zgjerim, nuk ka krijuar ndonjë entuziazëm në qarqe tjera të Bashkimit Evropian.
Edhe Komisioni Evropian, në reagimin e parë rreth këtij propozimi, ka shprehur qëndrimin se datat janë më pak të rëndësishme sesa përmbajtja dhe se fokusi duhet të jetë në reforma e jo në data.
Këtë e ka thënë sot edhe Dana Spinant, zëdhënëse e Komisionit Evropian, duke u përgjigjur në pyetjet e shumta të gazetarëve rreth ideve, të cilat i ka shprehur kryetari Michell.
“Siç thashë disa herë, ne nuk jemi të fokusuar në data, por në punën tonë në bashkëpunim të ngushtë e të afërt me vendet kandidate, për t’u bërë gati për anëtarësim në BE. Jemi përqendruar për t’u ndihmuar atyre në reforma, jemi përqendruar në ndihmën për investime dhe për transformimin e ekonomisë së tyre, për përshtatjen e kornizës rregullative, ashtu që të jenë në gjendje të përfitojnë edhe para se të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian”, tha Spinant.
Ajo ka thënë se Bashkimi Evropian dhe Komisioni kanë instrumente për të ndihmuar vendet kandidate që të përgatiten për anëtarësim dhe që të zhvillojnë ekonomitë e tyre.
Kjo zëdhënëse e Komisionit ka thënë në konferencë për shtyp se ajo nuk është në dijeni se ka pasur ndonjë kontakt paraprak në mes të presidentit të KE-së, Chales Michell, dhe presidentes së Komisonit, Ursula von der Leyen, para se Michell të shprehë idetë e tij.
Ndryshe edhe presidentja e KE-së, von der Leyen, disa herë ka bërë thirrje për përshpejtimin e procesit të zgjerimit duke thënë se BE-ja dhe Evropa nuk do të jenë të kompletuara si union përderisa të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të mos jenë anëtare të saj.
Michelle propozimet e tij i ka shprehur në një forum në Bled të Sllovenisë, kur kishte thënë se BE-ja duhet të vendosë nëse do të jetë aktor i vërtetë në skenën globale apo do të vazhdojë të jetë një union që vetëm merret me menaxhimin e krizave.
Ai kishte pranuar se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë arsye të ndihen të zhgënjyera me procesin tepër të gjatë të zgjerimit. Por, sa i përket zgjerimit, në BE rikujtojnë se secili vendim dhe secili hap në këtë proces mund të bëhet vetëm me pajtimin e plotë të të gjitha vendeve anëtare të BE-së.