Në fshatin Llaushë të Skenderajt, aty ku doli për herë të parë publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), sot më 28 nëntor në nder të kësaj dite është përuruar memoriali me logon e UÇK-së dhe mbishkrimin “Dalja e parë publike e UÇK-së”.
Para 27 vjetësh, në varrimin e mësuesit Halit Geci, i cili u vra nga forcat serbe, u lexua deklarata e UÇK-së nga Rexhep Selimi, i cili në krah kishte edhe dy ushtarët e tjerë, Daut Haradinaj dhe Mujë Krasniqi.
Në ceremoninë e përurimit të memorialit e organizuar nga komuna e Skenderajt morën pjesë qindra qytetarë, ish-ushtarë të UÇK-së, familje të dëshmoreve, veteranë e invalid të luftës së fundit në Kosovë, por edhe figura të tjera politike.
Nismëtari i iniciativës për ndërtimin e memorialit dhe njëkohësisht ish-nxënësi i Halit Gecit, Arbër Geci tregoi historikun e daljes publike për herë të UÇK-së, konfrontimet mes forcave serbe në Vajnikë e mes maleve të Llaushës.
“Pas shumë diskutimesh e idesh se nga do të sulmohen forcat serbe, të gjithë në krye me komandantin Adem Jasharin vendosën të zënë pozicionin në mes të maleve të Llaushës dhe Rezallës së Re. Si pozitë më e përshtatshme për të pritur forcat serbe të cilat mendohej se do të vinin nga qyteti i Skenderajt. Andaj siç pajtohen rreth orës 04:00 të mëngjesit, plotë 22 ushtarë të UÇK-së të gjithë të armatosur me vullnet të hekurt e ideale të qartë pozicionohen në katër pika të maleve përreth Llaushës dhe Rezallës së Re…Trimat e UÇK-së siç edhe ishin dakorduar një natë me herët më të hyrë komvojë në mes pozicioneve të tyre fillojnë gjuajtjet e forcave nga të gjitha anët. Përreth dy orë luftimesh, forcat serbe me ndihmë edhe të helikopterit arrijnë të tërhiqen mbrapa… forcat serbe gjuajnë me armë në të dy anët e rrugës në Llaushë duke mos kursyer as shkollën. Me ç’rast mbesin të plagosur mësuesit Halit Geci dhe Shaban Rreci”, tha Geci.
Arbër Geci, djali i ish-komandantit të UÇK-së Jetullah Geci, u shpreh se vrasja e mësuesit Halit ishte një dhimbje për të gjithë, porse u vlerësua moment ideal për të treguar se UÇK-ja ishte prezente, e fortë dhe vepronte në çdo pjesë të Kosovës.
“Ky memorial dhe shume memoriale të tjera duhet të trajtohen si vende të shenjta, kur përmes tyre të kujtojnë sakrificën, mundin dhe heroizmin e dëshmorëve dhe ushtarët e UÇK-së dhe për të frymëzuar brezat e ardhshëm e për të çmuar dhe mbrojtur lirinë e fituar me shumë mund e gjak”, potencoi Geci.
Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura, tha se shfaqja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cila nuk duroi padrejtësitë, vrasjet e persekutimet u bë në ditën më të rëndësishme për popullin shqiptar, 28 Nëntor.
“28 Nëntori i sotëm ngërthen shumë ngjarje… Ky moment i cili na ka bërë bashkë në festën më të madhe të shqiptarëve do të shërbejë si fakt historik i lavdisë dhe krenarisë së popullit shqiptar dhe aspiratave të tij për liri dhe pavarësi të Kosovës”, tha Nura.