Arbëri

Zbatimi i reformës në administratën publike nis me tre vjet vonesë

Rreth një javë më parë ekzekutivi kishte marrë vendim për vazhdimin e reformës në administratën publike. Në mbledhjen e Qeverisë miratim kishte marrë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive të pavarura

Edhe dy muaj i kanë mbetur kohë Qeverisë së Kosovës që ta jetësojë synimin për t’i përfunduar dy fazat e para të reformës në administratë publike, ku hyn racionalizimi i agjencive të pavarura dhe autoriteteve.

Sipas zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, Besnik Bislimi, edhe dy ligjet bazë të kësaj reforme, Ligji për pagat dhe ai për shërbyesit civilë, do të jenë të gatshme brenda vitit.

“Në fushën e reformës në administratën publike do të kemi në fuqi dy ligjet kornizë, duke përmbushur kështu këtë reformë, si dhe ndryshimet legjislative për dy valë të racionalizimit të agjencive të pavarura, si dhe jemi duke integruar praktika në një fushë të vetme për reformën e administratës publike”, ka deklaruar Bislimi në Komisionin parlamentar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian.

Rreth një javë më parë ekzekutivi kishte marrë vendim për vazhdimin e reformës në administratën publike. Në mbledhjen e Qeverisë miratim kishte marrë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive të pavarura.

“Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive të pavarura, i cili ndryshon dhe plotëson Ligjin për Agjencinë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës; Ligjin për Ndihmë Juridike Falas; Ligjin për Akademinë e Drejtësisë; dhe Ligjin për Aviacionin Civil”, është thënë në mbledhjen e 42-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale qysh para tre vjetëve do të duhej të inkorporohej si drejtori në Ministrinë e Kulturës. Racionalizimi apo kalimi i kësaj agjencie në ministrinë përkatëse është mirëpritur nga drejtori i saj, Bislim Zogaj, i cili ka thënë se kjo gjë e lehtëson punën e tyre.

“Është Departamenti për mbrojtjen e trashëgimisë, është Instituti për mbrojtjen e monumenteve e shumë departamente të tjera, që përafërsisht i takojnë të njëjtës kategori. Edhe pse si agjenci jemi në një nivel më të lartë në kuadër të Kuvendit, mendoj që është shumë më mirë kjo që do të bëhet sesa të vazhdohet në gjendjen që është”, ka thënë Zogaj.

Për punën e kësaj agjencie, me staf prej 11 personash, çdo vit, që nga themelimi më 2013, Qeveria e Kosovës ka ndarë buxhet prej rreth 5 milionë eurosh.

Puna e Agjencisë për Menaxhim të Komplekseve Memoriale është e njëjtë me Departamentin për Menaxhimin e Monumenteve Kulturore në kuadër të Ministrisë së Kulturës. E qëllimi kryesor i racionalizimit, sipas Leonora Kryeziut, hulumtuese në Institutin për Studime Politike, është llogaridhënia e agjencive të pavarura dhe definimi i punës së tyre.

“Qëllimi i racionalizimit të agjencive ka qenë përmirësimi i llogaridhënies dhe korrigjimi i mbivënies apo duplifikimit të kompetencave që këto agjenci kanë pasur mes vete dhe me institucionet e tjera”, ka theksuar Kryeziu.

Vonesat në zbatimin e reformës për racionalizimin e agjencive të pavarura, sipas saj, kanë ndodhur për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe dështimit të Ligjit të pagave dhe atij për shërbyesit civilë.

Faza e parë e filluar në vitin 2018 do të duhej të përfundonte brenda po atij viti. Me planin e veprimit, shtatë agjenci të pavarura do të shuheshin apo do të kalonin në kuadër të institucioneve përkatëse. I gjithë ky proces, i ndarë në katër faza, do të duhej të përfundonte në vitin 2022.