Milorad Zajiq është deklaruar se ndihet i pafajshëm në akuzat që e ngarkojnë atë për krime lufte.
Pasi atij i është lexuar aktakuza nga prokurorja speciale Fikrije Fejzullahu në shqyrtimin fillestar që është mbajtur në Gjykatën Themelore në Peja, ai ka thënë se ndihet i pafajshëm për veprat me të cilat ngarkohet.
Zajiq akuzohet se ishte përfshirë në përndjekjen e fqinjëve të tij duke ofruar shtëpinë e tij si bazë për ushtrinë e duke qëlluar në drejtim të shtëpive të shqiptarëve. Ai akuzohet se gjatë periudhës kohore qershor-korrik të vitit 1998, në fshatin Dush të Komunës së Klinës, aktivisht kishte marrë pjesë si ushtar dhe paramilitar serb në ofensivat kundër popullatës shqiptare.
Nga sulmet të cilat sipas Prokurorisë u bënë nga shtëpia e tij mbetën të djegur në shtëpitë e tyre tre të moshuarit Zade, Osman dhe Haradin Marmullaku.
Viktima të këtyre sulmeve ishin edhe katër banorë të tjerë të vrarë, dy burra dhe dy gra.
Seanca e shqyrtimit të dytë është caktuar më 26 shtator, në ora 10:00.