Arbëri

“Zadruga” e kundërthënieve

Foto: Driton Paçarada/Koha Ditore

Flamuri i Kosovës dhe ai i Serbisë janë vendosur krah në ballë të rafteve. Herë mbarë e herë mbrapsht. I ka bashkuar leverdia e pronarit pasi inspektorët ia kërkuan flamujt e shtetit të origjinës së produktit.

Ata bien më së shumti në sy, por shumëçka tjetër tregon se zor që mund të gjesh ndonjë dyqan tjetër në Kosovë që mund të krahasohet me të Cobit në Plemetinin e multietnik. Pakkush e njeh me emër e mbiemër pronarin Slobodan Vllasiq, 75 vjeç. Ama, po i pyete kalimtarët e rastit diçka për Cobin, gjithësecili ka një rrëfim që lidhet me thinjoshin trupdrejtë që qëndron ndërmjet rafteve e tezgës të “zadrugës”.

Enterieri është asi që të kujtojnë dyqanet e viteve nëntëdhjetë. Kosova mezi po mbahej në këmbët e veta nën regjimin e Slobodan Milosheviqit. Në dugajat e fshatrave, pos që bliheshin e shiteshin artikujt e domosdoshëm, ziheshin edhe muhabetet prej thashethemeve të komunitetit deri te temat e mëdha politike. Shitblerja bëhej me dinarë e marka gjermane, shkruan Koha Ditore.

Dikur me marka e dinarë, tani me euro e dinarë

Me dinarë mund të blesh edhe tani në dyqanin e Vllasiqit në fshatin e komunës së Obiliqit. “A nëntëdhjetë e pesë për qind blejnë me euro”, thotë plaku. Jep edhe veresi.

Zhvillimet politike të ditës reflektohen dy dekada më vonë në dyqanin ushqimor të Vllasiqit në fshatin e rrafshët të komunës së Obiliqit. Nganjëherë, fqinjët e etnive të ndryshme ndahen miqësisht në tym pse nuk ia mbushin dot mendjen njëri-tjetrit me argumentet e tyre. Shqetësimi më i dukshëm i përbashkët është tymi toksik që vjellin në qiell oxhaqet e termocentraleve të vjetra të Kosovës. Ajri kundërmon.

Kundërmon edhe toka e vërshuar gjithandej nga mbeturinat e turlifarshme. Prej hapësirave publike, i pastër është vetëm oborri i xhamisë së ndërtuar viteve të fundit që ndodhet prapa oborrit të dy ndërtesave të banimit kolektiv që u janë ndarë familjeve të varfra të komunitetit romë, ashkali dhe egjiptas. Ndanë rrugës kryesore shtrihet hekurudha ku nuk qarkullon treni. Matanë është rruga e paasfaltuar e disa shtëpive serbe, në mesin e të cilave edhe ajo e Vllasiqit. “Komuna më thotë: ‘Cobi kemi me shtru sivjet, kemi me shtru viin tjetër’, por nuk po e shtrojnë”, thekson ai.

Vllasiqi ka punuar paraluftës 35 vjet si shofer autobusi në KEK. “Pasluftës u mbush me punëtorë të Drenicës”, thekson plaku, duke mosdashur të lëshohet më shumë në zhvillimet politike të pasluftës. I kërkon një një myshteriu serb në të pesëdhjetat që të flasë për shqetësimet e fshatit. Nuk ia mbush mendjen përkundër insistimit të madh.

“A nuk do me fol eidcka për televizion”, i drejtohet Vllasiqi burrit që e flet shqipen më rrjedhshëm se pronari. “Jo nuk jam për televizion. Me pas kanë për me fol për televizion, unë isha kanë në fotele, president”, ia kthen me qeshje burri, teksa merr kusurin në dinar. “Po s’jam i fotelës, ata që janë të fotelës, edhe flasin shumë edhe fitojnë shumë”.

Edhe me Serbi, edhe me Kosovë

Burri del nga dyqani. Binarët i kalon pa hedhur shikimin anash në “prrugën” – sikur se i referohet Vllasiqi – që lidh Prishtinën me Mitrovicën. “Na, plemetini, kemi mbet as me Graçanicë, as me Mitrovicën (Veriore,v.j.)”, thotë burri që ishte një kohë të gjatë kryetar i Plemetinit. “Shiko, po të them, unë jam kanë tetëmbëdhjetë vjet kryetar katuni”, tregon në serbisht Vllasiqi, duke e vazhduar në shqip: “Qysh po thojnë, lideri i katunit”.

Flet goxha rrjedhshëm shqipen. Kërkon që intervista të zhvillohet serbisht e pyetjet t’i shtrohen në shqip. Nganjëherë nis të përgjigjet shqip para se të vazhdojë serbisht. Përbehet me “vallahi po” kur dëshiron ta fuqizojë ndonjërin prej argumenteve e rrëfimeve.

“O vallahi s’jam mirë, por çka me ba”, thotë Vllasiqi. Menjëherë i kthehet gjuhës amëtare. Merr 170 euro pension të Kosovës e njëherësh 300 euro të Serbisë.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës më 2018 për skemat pensionale tregojnë se: nga skema e pensioneve bazë të moshës janë 126 888 përfitues; nga skema e pensioneve kontributpaguese të moshës janë 45 391 përfitues; nga skema për pensionet familjare janë 4 031 përfitues; nga skema për pensionet invalidore janë 101 përfitues; nga skema për pensionet e “Trepçës” janë 2 950 përfitues; nga skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës janë 817 përfitues; nga skema e pensioneve për Forcën e Sigurisë së Kosovës janë 482 përfitues; nga skema e kompensimeve për personat e verbër janë 2 021 përfitues; nga skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara janë 17 998 përfitues; nga skema për pensionet e personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë janë 2 986 përfitues.

Vllasiqi thotë se gjithnjë ka adresuar shqetësimet e fshatit Plemetin pavarësisht dallimet etnike. Në shtëpinë e tij kanë qëndruar edhe komandantë KFOR-i e zyrtarë të lartë të administratës ndërkombëtare civile.

“Ne nuk kemi asnjë problem me shqiptarët në katund, një milion për qind, ama bash asnjë problem. Unë mund të shkoj te fqinjët te çdo shqiptar. Ne nuk kemi problem me ta as ata me ne”, thekson Vllasiq.

Sfidat e mëdha të joserbëve

Me vështirësi më të mëdha përballen pakicat joserbe, thotë egjiptasi Haki Abazi, zyrtar për komunitete në Komunën e Obiliqit. Ai thotë se papunësia dhe braktisja e shkollimit nga romët, ashkalinjtë dhe egjiptasit është shqetësimit më i madh. Burrat e anëtarëve të pakicave joserbe në Plemetin thonë se do të dilnin prej mjerimit ekonomik e social vetëm nëse do të kishte vende të qëndrueshme pune për të rinjtë. Kjo vërehet qartazi te “zadruga” e Vllasiqit, ku kryefamiljarët thonë se shtrëngohen të kërkojnë marrin veresi artikujt e domosdoshëm.

“Të rinjtë nga komunitetet rom, ashkalinj dhe egjiptian janë në disavantazh të madh krahasuar me të rinjtë e tjerë në lidhje me arritjet e tyre në arsim. Shkalla e shkrim-leximit dhe arritjet në arsim të këtyre komuniteteve janë më të ulëta se ato të pjesës tjetër të popullsisë”, thuhet në hulumtimin e Organizatës Botërore të Punës, “Perspektivat e të rinjve rom, ashkalinj dhe egjiptian mbi mundësitë dhe sfidat për punë të denjë në Kosovë” - bazuar mbi hulumtimet në Gjakovë, Fushë Kosovë e Graçanicës.

Sipas hulumtimit, krahasuar me rreth 98 për qind të popullsisë së përgjithshme që dinë shkrim-lexim, vetëm 73 për qind e grave dhe rreth 87 për qind e meshkujve rom, ashkalinj dhe egjiptian dinë shkrim-lexim. Familjet e pakicave joserbe vendosin vetë nëse dëshirojnë që fëmijët t’i dërgojnë në shkollën shqipe me planprogram të Kosovës, apo në atë serbe me të Serbisë.

Ëndrra për riaktivizimi e klubit të shuar

Martesat e hershme përbëjnë sfidën e tretë të madhe për këto pakica. Vllasiqi, i cili e drejtoi 35 vjet klubin e shuar të futbollit të Plemetinit, thotë se riaktivizimi i skuadrës me lojtarë të etnive të ndryshme do t’u krijonte të rinjve mundësi për të treguar veten. Nuk dihet se kush i ka djegur barishtet e egra që kishin vërshuar fushën e futbollit të madh në zemër të fshatit, ku gërshetohen rrugët lagjet e etnive të ndryshme.

“Kemi garuar në Ligën e Kosovës qendrore. Tash asgjë nuk po funksionon. Unë kam qenë për të mos bërë asnjë dallim Atta thonë: ‘Nuk lujamë se ka serbë’,. Këta thonë: ‘Nuk luajmë se nuk ka shqiptarë’. Kështu nuk po funksionon”, thekson Vllasiqi prapa tezgës. “Dhe kjo e ka bërë situatën shumë të rëndë”.

Ndërkohë burra të papunë kalojnë kohën kot rrugëve poshtë e lartë Plemetinit. Gratë, sidosmos ato të komunitetit serb, kujdesen për njomakët e lëshuar nga shkolla. Të rriturit, sidomos shqiptarët e joserbët, mendjen e kanë si të bëjnë çarenë për të migruar disi në Evropën perëndimore. Terri ka nisur t’ia marrë anën dritës – dhe tymit të bardhë të oxhaqeve të termocentraleve që përherë iu rri mbi kokë. Në kohë si kjo e kësaj vjeshte të thatë, bie përtokë dhe ua vështirëson frymëmarrjen.