Arbëri

“Z-Mobile” ia merr edhe 11 milionë euro Telekomit

Telekomi i Kosovës ka humbur edhe një betejë në Arbitrazh. Ai do të detyrohet t’ia paguajë mbi 11 milionë euro të tjera kompanisë “Dardafon”, së cilës nuk ia kishte vazhduar një kontratë në vitin 2019 në lidhje me “Z-Mobile”, operator virtual i telefonisë mobile “Vala”. Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit ka vendosur për këtë më 18 shkurt, vendim ky që të hënën i ka mbërritur Telekomit

Prishtinë, 21 shkurt – Telekomi i Kosovës do të detyrohet t’ia paguajë mbi 11 milionë euro të tjera kompanisë “Dardafon”, së cilës nuk ia kishte vazhduar një kontratë në vitin 2019 në lidhje me “Z-Mobile”, operator virtual i telefonisë mobile “Vala”. Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit ka vendosur për këtë më 18 shkurt, vendim ky që të hënën i ka mbërritur Telekomit.

Lamih Balaj, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve në Telekomit, i ka thënë KOHËS se vendimi nga Arbitrazhi ka arritur të hënën, pas orës 16:00.

“Kjo është në dëm të Telekomit. Unë personalisht nuk e kam parë vendimin, por do ta siguroj. Pasi ta analizojnë juristët e Sindikatës ne do të dalim me një qëndrim. Edhe pse po e them që ky vendim që ka ardhur në dëm të Telekomit është në vazhdën e dënimeve të cilat janë të ardhura nga aferat korruptuese”, ka thënë Balaj.

Ai ka thënë se për të gjitha këto dëme, fajtorë kryesorë janë institucionet e Kosovës, të cilat me vetëdije kanë lejuar që të nënshkruhen kontratat e tilla. Sipas tij, asnjëherë deri më sot këta persona që i kanë nënshkruar këto kontrata nuk kanë dalë para drejtësisë.

“Asnjëherë, edhe pse Telekomi është aset i Qeverisë, nuk i kanë mbikëqyrur ata njerëz që i kanë nënshkruar këto kontrata të dëmshme”, ka thënë Balaj. “Për ne si sindikatë dhe punëtorët e Telekomit është i papranueshëm ky vendim dhe është momenti i fundit i institucioneve që të marrin hapat konkretë ndaj krimit të organizuar brenda dhe jashtë Telekomit”.

Në vitin 2016, “Z-mobile” kishte fituar 30 milionë euro në një proces tjetër në Arbitrazh, pas padisë që i ishte bërë Telekomit të Kosovës. Ky rast ishte ngritur për mosdhënien e 100 mijë numrave dhe mossigurimin e 3G dhe 4G për numrat e “Z-Mobile”.

Kontratën me “Z-Mobile” e kishte nënshkruar Shyqyri Haxha në cilësinë e drejtorit të kompanisë. Në lidhje me këtë kontratë Haxha qe paditur, por qe shpallur i pafajshëm nga një panel gjykatësish të EULEX-it.

E kryesindikalisti i Telekomit, Lamih Balaj, ka thënë se nuk do ta pranojnë asnjë vendim të gjykatave dhe arbitrazhit në dëm të Telekomit pasi, sipas tij, barrën e të gjitha dëmeve të shkaktuara tash e sa vjet janë duke e bartur punëtorët e kësaj kompanie.

“Ne do ta kundërshtojmë këtë vendim me të gjitha format e lejuara me ligj. Pasi të analizohet mirë do të marrim hapa”, ka thënë ai.

Në vitin 2019, kur ishte shkëputur kontrata, në “Z-Mobile” kishin thënë se Telekomi e ka pasur për obligim ligjor që negociatat t’i zhvillojë në mirëbesim për arritjen e marrëveshjes komerciale me “Z Mobile”, “por ka bërë çdo veprim që të mos arrihet një marrëveshje”.

“Vazhdimi i kësaj kontrate ka qenë në dobi të Telekomit, të konsumatorëve të Kosovës dhe zhvillimit të një tregu cilësor dhe konkurrent. Telekomi, duke vepruar në kundërshtim me obligimin për mirëbesim, ka zhvilluar kampanjë publike për devalvimin e bashkëpunimit komercial me ‘Z- Mobile’, gjë që nuk e kemi pritur. Megjithatë, ne besojmë që këto veprime të Telekomit nuk i sjellin asnjë dobi as Telekomit e as tregut të telekomunikacionit në Kosovë”, kishte deklaruar “Z-Mobile”.