Gazetari nga Maqedonia e Veriut, Seladin Xhezairi, ka thënë se incidenti i javës së kaluar në Aeroportin e Shkupit nuk ishte i pari që ka pasur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Xhezairi në “60 Minuta” të KTV-së ka thënë se Osmani kishte pasur incidente të ngjashme edhe më herët, porse ato ishin kaluar në heshtje.
Në fundjavë në mediumin e Maqedonisë së Veriut, “Sdk.mk” ishte raportuar se Osmani kishte pasur edhe dy incidenteve gjatë fluturimeve me “Turkish Airlines” dhe “Austrian Airlines” dhe se në ato raste nuk ishte lejuar Osmani të kalonte pa iu nënshtruar kontrolleve të rregullta të sigurisë. Madje mediumi ka raportuar se në rastin e fluturimit në Stamboll me “Turkish Airlines”, aeroplani ishte vonuar për një orë e gjysmë shkaku i një konfrontimi të një anëtari të sigurimit të Osmanit me një punonjës të kompanisë.
Osmani të enjten ishte ndaluar nga sigurimi i Aeroportit të Shkupit, duke iu kërkuar që ta kalonte përmes skanerit çantën dhe telefonin personal. Kjo shkaktoi incident, ndërsa Kosova i dërgoi notë proteste Maqedonisë së Veriut lidhur me çështjen.
“Për hir të së vërtetës, këtu është konfirmuar se nuk ka qenë incidenti i parë me presidenten Vjosa Osmani. Por, mënyra se si janë sjellur këtu autoritetet policore lënë për të dëshiruar. Gjatë ditës është bërë kallëzim penal ndaj shefit të sigurimit të kryeparlamentarit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, që në momentin e incidentit kishte shkuar në aeroport”, ka thënë Xhezairi. “Më është konfirmuar se ka pasur raste të ngjashme edhe më herët me presidenten e Kosovës, por nuk është ngarkuar opinioni publik. Që do të thotë se këto raste incidentale janë tejkaluar në rrugë diplomatike. Pse u zgjodh kjo mënyrë që të bëhet publike, kjo e thellon edhe më shumë atë dilemë, pikërisht në këto momente u zgjodh një incident i tillë”.
Xhezairi ka thënë se incidenti me Osmanin lë një shije të hidhur për komunikimet ndërshtetërore dhe se ka shkaktuar ndasi edhe në korpusin politik shqiptar në Maqedoni të Veriut.
Në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, homologu i tij maqedonas Mickoski konfirmoi se ka pasur edhe dy incidente të ngjashme vitin e shkuar, porse nuk pranoi të shpaloste më tepër detaje.