Për torturat që i ka përjetuar në Burgun e Lipjanit, pak ditë para çlirimit, dëshmoi të premten ish-i burgosuri Bajrush Xhemajli, në rastin ku i akuzuar për krime lufte është ish-gardiani Dragisha Milenkoviq. I pyetur nga prokurori special, dëshmitari Xhemajli tha se nuk i kujtohet nëse e ka parë Milenkoviqin në Burgun e Lipjanit, pasi nuk ishte i përqendruar në këtë pikë, por ka dëgjuar nga të burgosurit e tjerë tek e kanë përmendur tani të akuzuarin
“Në mes të tyre duhet të kalojnë të burgosurit dhe i rreh secilin sa mundet, e mjerë ai që rrëzohet, as që nuk të çon kurrkush e ashtu të rrahin, rrëzohesh e ngrihesh deri të arrin në një skaj atje”.
Kjo është një pjesë e rrëfimit të Bajrush Xhemajlit për torturat që i përjetoi ai dhe shumë të burgosur të tjerë në Burgun e Lipjanit, pak ditë para çlirimit të Kosovës.
Ai dëshmoi para trupit gjykues të premten në Gjykatën Themelore, në rastin e ish-gardianit Dragisha Milenkoviq, i akuzuar për krime lufte gjatë vitit 1999.
Përveç në hyrje të burgut, Xhemajli tha se maltretimet vazhdonin edhe brenda qelisë. Shtoi se mungonte edhe ushqimi.
“Në hyrje të qelisë, na prisnin me dy shkopinjtë të hekurt dhe me majë. Na vendosshin këta shkopinjtë në mes dhe ne binim në të fiktë. Aty kemi qenë 30 vetë. Nuk ka pasë atëherë as rregulla të burgut, as kurrgjë, sepse kemi qenë si robër. Aty i ke pasë vetëm dy sfungjerë, na 30 vetë vetëm dy sfungjerë. ¼ të bukës dhe ka qenë një gotë e jogurtit që u dashtë, një me nda pesë persona”, tha ai.
I pyetur nga prokurori special Atdhe Dema, nëse e ka parë tani të akuzuarin Milenkoviq në Burgun e Lipjanit, Xhemajli tha se nuk ishte i përqendruar në atë se kush po i maltretonte.
E në pyetjen e radhës nëse ka dëgjuar ndonjë të burgosur të përmend Milenkoviqin, reagoi mbrojtja e të akuzuarit.
“Këto pyetje prokurori është dashur t’i parashtrojë gjatë hetimeve, ky është shqyrtimi kryesor, nuk është gjë që dëshmitari duhet të përgjigjet”, deklaroi Dejan Vasiq, avokat i të akuzuarit.
Por kryetari i trupit gjykues dha leje të vazhdohet me pyetje.
Më pas Xhemajli pohoi se ka dëgjuar nga të tjerët se Milenkoviqi i ka torturuar.
“Kam dëgjuar që ka tortuar shumë të burgosur, për shembull Agron Ramadani më ka thënë se Dragisha e ka rrahur fortë”, tha Xhemajli.
Ish-gardiani Dragisha Milenkoviq është arrestuar më 21 qershor të vitit të shkuar. Prokuroria Speciale e mban atë përgjegjës për veprat “Krim lufte kundër popullatës civile” dhe për “Mbajtje nën pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.